Humanizëm në shëndetësinë e Kosovës nuk ka

26 nëntor 2026 | 10:20

Berat Dakaj

Gazetarët dhe mediet e Kosovës ditë e natë raportojnë për ngjarje politike. I ndjekin pas pozitarët dhe opozitarët e nivelit qendror dhe lokal. Një status të tyre, të publikuar në rrjete sociale, e bëjnë lajm. Një fotografi të shkrepur në një odë me burra, pranë sofrës mbushur mish dhe alkool, e bëjnë lajm. Një fotografi të shkrepur në një aheng e bëjnë lajm. Një fotografi të shkrepur në veturë e bëjnë lajm. Një fotografi të shkrepur në avion e bëjnë lajm. Ndonjë ditë do të raportojnë edhe për pordhat e politikanëve. Hulumtim për këtë lloj gazetarie nuk duhet, se është i panevojshëm dhe është shumë lehtë për t’u bërë (nga karrigia) dhe për t’ia shpërndarë publikut (nga kompjuteri/interneti). Kjo lloj gazetarie është si fjali dëftore: veç kallëzon çfarë bëri Filan Fisteku sot.

Medieve të Kosovës, të të gjitha llojeve, u mungojnë gazetarët e sektorit të shëndetësisë. Po të kishte gazetarë të mirë në këtë sektor, shëndetësia e Kosovës do të ishte shumë më e mirë sesa që është dhe stafi i spitaleve dhe i qendrave të mjekësisë familjare do të punonte më mirë dhe më ndershëm. Për shkak të mungesës së gazetarisë hulumtuese në sektorin e shëndetësisë, analistët, sidomos ata që paraqiten në televizione, përpiqen ta mbushin këtë boshllëk me përvoja të të tjerëve, pa dal një orë në terren. E shëndetësisë së Kosovës, QKUK-së, klinikave të saj, edhe qendrave të mjekësisë familjare të Prishtinës dhe të qyteteve të tjera, edhe u mungojnë ilaçet, edhe pajisjet, edhe mjekët, këtyre shpeshherë edhe humanizmi.

Në javën e kaluar babait tim i thanë, “para se ta fillojmë kimioterapinë, duhet të bësh PET/CT” (ekzaminim diagnostikues në mjekësinë nukleare). Babai, nën shoqërimin e motrës, të mërkurën e kaluar u paraqit te Mjekësia Nukleare në Prishtinë. E njoftuan: “Nuk kemi material për ta bërë. Duhet të pritni ndoshta një javë, ndoshta dy, derisa të na vijë materiali. Lërna një numër të celularit dhe ju njoftojmë sapo të në vijë materiali. Nëse e keni për ngut, shkoni bëjeni privat”. Baba e kishte lënë numrin tim edhe pse i kishte njoftuar se këtë punë e ka për ngutë. Të premten më telefonoi një zonjë nga Mjekësia Nukleare dhe më tha: “Material nuk kemi”. E pyeta sa kohë mund të vonohet. Më tha një ose dy javë. Më sugjeroi, meqë rasti është urgjent, ekzaminimin ta bëjmë në ordinanca private. E njoftova motrën: “Materiali për PET/CT mund të vonohet te Mjekësia Nukleare një ose dy javë, më njoftoi një zonjë ‘nukleare’. Çfarë të bëjmë? Këqyrë ku bëhet te privatët dhe sa kushton”.

Pas nja njëzet minutash, nëpërmjet një lidhjeje shoqërore që kishte gjetur, i kishin thënë: “Merre babanë dhe ejani të shtunën dhe ia bëjmë. Le t’i sjellë me vete të gjitha shkresat e mjekëve”. Të shtunën babën e shoqërova unë. Brenda Mjekësisë Familjare, dhjetë persona të moshave të ndryshme, me halle të ndryshme shëndetësore. Pas një fjalimi prej njëzet minutash nga një zonjë “nukleare”, e cila u thoshte pacientëve të kenë vullnet dhe të mbështeten te Zoti dhe të bëjnë lutje për shëndetin, secilit pacient iu krye shërbimi. Dmth., një material që të premten na thanë se mund të vonohet një ose dy javë, pas lidhjeve që u gjetën brenda Mjekësisë Nukleare, materiali për PET/CT u gjettë menjëherë të shtunën. Këtë lidhje nuk e gjeta unë. E gjeti motra.

A ka inspektorë që bëjnë inspektime për materiale në QKUK? Pse për babanë tim, dhe për nëntë të tjerë, u gjettë materiali të shtunën e për sa e sa të tjerë jo? A është humanizëm ky? Jo!

Tash, pas rezultatit që ka marrë nga Mjekësia Nukleare, onkologu i ka kërkuar tim ati të sigurojë Port-a-Cath. Onkologjia këtë s’e ka. As Kirurgjia Vaskulare. Askush në QKUK nuk na ka thënë s’e e kemi. Të gjithë na kanë thënë na mungon. “Mund ta gjeni në barnatore”. As në barnatore të Prishtinës s’e gjetëm. E gjetëm në tregun e zi, te një djalë i ri, me çmim prej 360.00 eurosh. Si mund të ketë ky djalë Port-a-Cath e mos ta kenë klinikat e QKUK-së dhe barnatoret? Si mund të kenë fasha, dhjetë euro një copë, tetë copa tetëdhjetë euro sa i duhen tim ati, barnatoret private e mos të kenë klinikat e QKUK-së?!

Mungesat e ilaçeve në QKUK janë të paargumentueshme. Kaq të paargumentueshme janë edhe në qendrat e mjekësisë nëpër qytete. Pardje im atë ka bërë një rëntgen në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë. Nuk i kanë dhënë filmin e rëntgenit se i kanë thënë s’kemi material. Nuk i kanë bërë përshkrimin e fotografimit të rëntgenit se i kanë thënë s’kemi radiolog. Nuk i kanë bërë përshkrimin e fotografimit të rëntgenit se i kanë thënë s’kemi pulmolog. I kanë thënë: Fotografoje me celular këtë rëntgen nga ekrani i kompjuterit dhe shko te ndonjë radiolog dhe pulmolog privat për konsultë. E kishte fotografuar dhe ma nisi. Sapo e pashë shërbimin që ia kishin dhënë, shava nëpër dhëmbë. Çfarë t’i thosha unë? Vetëm t’i kërkoj këshilla Chat-it, gjë tjetër s’më mbeti. E Chat-i më tha: “Babai duhet ta përsëritë rëntgenin e mushkërive dhe të kërkojë raport nga radiologu dhe të konsultohet me pulmolog”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Forumi Studentor i Psikologjisë realizoi aktivitetin “Përtej Faqeve”, një nismë…