Tash duket i besueshëm veprimi shtetëror për mbrojtjen e luftës çlirimtare
Shkruan: Hajdin Abazi
Që në fillim, pas 16 shtatorit, kam parashtruar mendime se si duhet vepruar jo për t’iu kundërvënë Gjykatës së Kosovës në Hagë, po për ta ndihmuar drejtësinë që të kuptojë vërtetësinë e luftës sonë për çlirim kombëtar dhe për liri.
Sepse kundërvënia do ta paraqiste Kosovën sikur ajo po i ikën drejtësisë, e cila është tabani mbi të cilin ngrihet demokracia, gjë që do të futej në një konflikt me BE-në dhe Perëndimin, konflikt i cili nuk do të kishte epilog të favorshëm për shtetin tonë që ende ka punë të madhe përpara deri te anëtarësimi në Organizatën e Kombeve.
Një konflikt i tillë me BE-në në kontekstin e drejtësisë kur ende nuk është përfunduar lufta me Serbinë, e cila ende publikisht shpreh pretendimet për ta kthyer pushtimin mbi Kosovën, do të ishte pa ndonjë efekt real në synimin për ta mbrojtur e ndriçuar luftën tonë të drejtë çlirimtare, madje as në kontekstin e verdiktit të 16 shtatorit; përkundrazi, përveç konotacionit që do të merrte, do te kishte edhe konsekuenca.
Theksin e kam vënë fuqishëm se duhet të veprojmë me konceptet, mentalitetin dje frymën perëndimore – unë vetëm kështu dhe këtu e shoh mundësinë për ta ndihmuar drejtësinë që ta kuptojnë të vërtetën e luftës sonë çlirimtare.
I kam rënë fort asaj se duhet angazhuar ekspertë ndërkombëtarë nga vendet e Perëndimit, d.m.th. të SHBA-së dhe BE-së, ashtu që të mos bëhet ndonjë gabim, që duke dashur të ndihmohet drejtësia për të vërtetën, të bëhet e kundërta, më ç’rast do të dilnim humbës të gjithë – Kosova, ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe po aq drejtësia.
Pikërisht për drejtësi shprehej edhe PDK-ja dhe në të gjitha deklarimet publike të politikanëve e të protestuesve të ndryshëm.
Por kur u bë publik se PDK-ja ka përgatitur një ligj, me gjithë se ka juristë me emër, isha i befasuar, si për nga shpejtësia ashtu edhe për nga këmbëngulja për miratim (leximi i parë më 5, kurse leximi i dytë më 6 tetor 2026)
Te jem i sinqertë, nuk jam ndjerë aspak i bindur për korrektësinë dhe validitetin e atij ligji lidhur me Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, sepse nga leximi që i bëra fitova përshtypjen se nuk ishin involvuar ekspertë perëndimor.
Dorën në zemër, deputetët u vunë në siklet, kur dukej se kush nuk do ta votonte atë ligj “ishte kundër UÇK-së”. Më bënë përshtypje vërejtjet e kryeministrit Kurti se ligji ka daficite, megjithatë, për mos të krijuar përçarje, tha se do ta votonin.
Ligji pastaj në procedurë të rregullt u dërgua te Presidentja për nënshkrim.
Kushdo që i ka përcjellë shkrimet e mia, e kam anashkaluar çështjen e ligjit për shkak se nuk ma pati mbush mendjen.
Rezervat e mia ia kam shprehur disa miqve të mi, në mënyrë interne.
Befas, pas reagimeve nga vetë Gjykata në Hagë po edhe nga BE-ja, u bë e qartë se ligji nuk ishte hartuar me ekspertizën e nevojshme.
Nga vetë sponsorizuesi, PDK, u kërkua të kthehet ligji në parlament, gjë që Presidentja e mirëpriti.
Pas kësaj, u shprehën shqetësime se jemi vonë, se po humbim kohë, e të këtilla, duke u nisur nga fakti se 27 nëntori, pra dita e nesërme, është afati për paraqitjen e kërkesës për apelim.
Në fakt, nuk jemi vonë.
Sepse më 27 nëntor zyrtarizohet e drejta për apelim, por nuk përfundon gjithçka aty, sepse ka kohë për paraqitjen e argumenteve, fakteve e kontestimeve.
Ajo çka është kryesorja në krejt këto zhvillime ka të bëjë me Grupin Punues dhe strukturën e tij heterogjene ose gjithëpërfshirëse. Praktikisht, aty është përfaqësimi i shqiptarëve në tërë spektrin ekzistues, gjë që vetvetiu duhet të jetë garancë për unitet dhe angazhim me tërë potencialin shtetëror.
Ndonëse pa zhurmë duket se ai po e bën punën mirëfilli. Duket se ka angazhuar ekspertë të shquar. Çdo gjë duhet të bëhet në konsulencë me BE-në dhe SHBA-në.
Çdo mos akordancë mund të ketë pasoja, ndaj duhet angazhim maksimal që të bashkëveprohet.
E kam thënë e po e përsëris: kur ka vullnet politik, asgjë nuk ka të pamundur.
E tërë kjo punë që po bëhet nga Grupi Punues tash duket bindëse, se shteti ynë po vepron me përgjegjësi duke kërkuar e gjetur zgjidhje që e vërteta e Kosovës dhe e luftës së saj çlirimtare ta bëjë drejtësinë të shquajë dhe ta korrektojë verdiktin në përputhje me to.
Për ta arritur këtë, e që është ndërmarrje e jashtëzakonshme porse jo e pamundur, duhet vepruar me pjekuri, me ndërgjegje kombëtare e përgjegjësi shtetërore duke sinkronizuar e ndërthurur të gjitha elementët, faktorët dhe rrethanat e mundshme.
Vetëm të bashkuar politikisht dhe me vënien në shërbim të të gjitha resurseve me objektivin që e vërteta t’i parashtrohet Apelit, mund të ndihmohet drejtësia.
Kosovës nuk i duhet vetëm ta fitojë më çdo mjet betejën për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, po mbi të gjitha i duhet fitorja për drejtësinë e luftës sonë çlirimtare të arrihet përmes verdiktit të gjykatës.
Kjo do të ishte fitore e vërtetë.
Fitore për vetë Gjykatën që t’i flakë insinuatat dhe ta shquajë të vërtetën.
Fitore për drejtësinë sepse ajo do të ishte në përputhje me misionin e vet – qe të shquaj të vërtetën dhe mbi atë bazë ta ndajë verdiktin e drejtësisë.
Do të fitonte Kosova, sepse e vërteta e saj do të rikonfirmohej – se lufta çlirimtare nuk kishte asnjë element të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.
E kjo, u mor vesh, do të ishte fitorja reale edhe e katërshes së ish-drejtuesve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e që do të ishte në përputhje me besimin e tyre te drejtësia për çka edhe u vetëdorëzuan me t’i thirre prokuroria.
Një fitore e këtillë, e vlefshme për të gjithë të involvuarit, mund të arrihet vetëm nga angazhimi i shtetit dhe me qasje perëndimore.
Prandaj, kësaj here janë të gjitha arsyet të besohet se jemi në rrugën e drejtë të angazhimit.
Grupi Punues ka marrë përsipër një barrë të rënde, për të cilin ka përgjegjësi para historisë sonë, shtetit tonë dhe lirisë së popullit tonë.
Ndaj duhet të veprojë në lartësinë që e kërkon konteksti kontinetal dhe gjeopolitik, duke i ndërthurur të gjithë të involvuarit për t’ia dalë me sukses.
Suksesi është mision i Grupit Punues, dhe ai është i vetmi parametër që do të flasë për punën e bërë.
Shteti nuk guxon të gabojë.
Nuk guxon të mos dijë.
Lutem që secili të jetë në krye të përgjegjësisë historike, politike, kombëtare e shtetërore 🙏



