Jakup Krasniqi – Dy shekuj nën hijen e së njëjtës portë!
27 nëntor 2026
| 14:59
Shruan: Adnan Thaçi
Në Drenicë, dikur, njerëzit kishin një mënyrë të çuditshme për ta kujtuar kohën. Nuk e ndanin gjithmonë në vite, por në ngjarje. Një fëmijë mund të kishte lindur pas një lufte, një burrë mund të ishte martuar para një burgimi, ndërsa një nënë mund ta mbante mend një dimër jo nga bora që kishte rënë, por nga biri që nuk ishte kthyer. Kështu, koha nuk u përkiste vetëm atyre që e jetonin. Një pjesë e saj u përkiste edhe atyre që mungonin.
Ndoshta kjo ishte arsyeja pse e shkuara në atë trevë nuk largohej kurrë përfundimisht. Ajo mbetej në shtëpi edhe pasi njerëzit që e kishin jetuar nuk ishin më. Ruhej në një emër, në një fotografi, në një rrëfim që përsëritej dhe në ndonjë heshtje që askush nuk guxonte ta prishte. Drenica kishte mësuar t’i mbante mend njerëzit edhe në mungesë të tyre. Në një vend ku shumëkush ishte larguar pa e ditur se kur do të kthehej, pritja ishte bërë pothuajse një mënyrë jetese.
Më 1 janar 1951, në Negrovc, lindi një djalë që do të quhej Jakup Krasniqi. Ishte fillimi i një viti të ri, por historia e vendit ku ai kishte lindur vazhdonte të ishte e vjetër. Evropa kishte dalë nga luftërat e saj të mëdha, shtete të reja kishin lindur mbi rrënojat e të vjetrave, ndërsa shqiptarët e Kosovës vazhdonin të jetonin pa të drejtën për ta vendosur vetë të ardhmen e tyre politike. Në atë kohë, askush nuk mund ta dinte se ky fëmijë do të jetonte aq shumë nga ngjarjet e shekullit që sapo kishte hyrë në gjysmën e tij të dytë, sa një ditë jeta e tij do të dukej më e gjatë se vetë vitet që kishte jetuar.
Njeriu nuk e zgjedh kohën në të cilën lind. Ai zgjedh, deri diku, rrugën që do të ndjekë, por jo gjithmonë ngjarjet që do t’i dalin përpara. Mund të zgjedhë profesionin, librat që do të lexojë dhe njerëzit me të cilët do ta ndajë jetën, por nuk mund të zgjedhë se kur një luftë do t’ia ndërpresë qetësinë apo kur një burg do t’ia marrë vitet. Jakup Krasniqi do ta mësonte këtë shumë më vonë!.
Në fillim, bota e tij ishte ajo e një fëmije të zakonshëm. Një botë që kishte kufijtë e vet të vegjël, përtej të cilëve gjithçka dukej e largët. Në atë botë, dyert kishin një kuptim të thjeshtë. Dera e shtëpisë ishte vendi ku fillonte dhe përfundonte dita. Dera e shkollës ishte vendi ku fillonte njohja me botën. E para të kthente te njerëzit e tu, e dyta të mësonte për njerëzit e tjerë. Të dyja hapeshin për të të lejuar të hyje e të dilje. Askush nuk kishte pse t’i shpjegonte një fëmije se në botë ekzistonte edhe një derë e tretë.
Një derë që nuk hapej nga brenda.
Përtej saj nuk kishte as oborrin e shtëpisë, as bankat e shkollës. Kishte një hapësirë ku jeta vazhdonte pa të pyetur dhe ku njeriu mund ta shihte kohën të kalonte pa qenë pjesë e saj. Jakupi nuk mund ta dinte se një ditë do ta njihte atë derë më mirë se shumë dyer të tjera, se do të kalonte përtej saj në rini dhe se, pas shumë dekadash, kur do të mendonte se e kishte lënë përgjithmonë pas, ajo do t’i shfaqej përsëri në pleqëri.
Më vonë, ai do të bëhej mësues historie. Është një nga rastësitë më të pazakonta të biografisë së tij. Njeriu që kishte zgjedhur t’ua shpjegonte nxënësve të kaluarën, një ditë do të bëhej vetë pjesë e ngjarjeve që brezat e ardhshëm do t’i mësonin nëpër libra. Ai do të fliste për popujt që kishin kërkuar lirinë, për shtetet që kishin lindur dhe për njerëzit që kishin kaluar vite në burg për bindjet e tyre. Por historia, të cilën e njihte si mësues, kishte një dallim të madh nga historia që do ta njihte si njeri, në libra, dhjetë vjet mund të përmblidhen në një faqe, në jetë, ato mund të jenë e gjithë rinia.
Në vitin 1981, kur ishte tridhjetë vjeç, Jakup Krasniqi u burgos për veprimtarinë e tij politike. Dera e tretë, ajo që fëmijëria nuk kishte pasur arsye ta njihte, u bë pjesë e jetës së tij. Përtej saj mbetën më shumë se dhjetë vjet. Jashtë, bota ndryshonte, stinët përsëriteshin, njerëzit plakeshin dhe fëmijët rriteshin. Brenda, vitet kalonin pa sjellë me vete atë që njeriu e priste më shumë.
Burgu nuk e ndalon kohën. Kjo është ndoshta mizoria më e madhe e tij. Ai e lejon kohën të kalojë, por nuk e lejon njeriun ta jetojë sipas dëshirës. Dhe kur një ditë porta hapet, ai që del mund ta gjejë vendlindjen aty ku e ka lënë, por jo rininë. Mund t’i takojë përsëri njerëzit e dashur, por nuk mund t’i takojë vitet që kanë kaluar pa të. Njeriu del nga burgu, ndërsa një pjesë e jetës së tij mbetet përgjithmonë brenda.
Në shkurt të vitit 1987, nga burgu i Novi Sadit, Jakup Krasniqi i shkroi nënës. Në atë letër, të botuar më vonë në librin Letra nga burgu, ai e thërriste me dashuri: “Nënëlokja ime, hallemadhja ime”. I kujtonte duart e lodhura nga puna, bukën e gatuar me mund dhe jetën që kishte kaluar duke mbajtur familjen. Në atë letër nuk fliste njeriu që një ditë do të bëhej zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo drejtues i institucioneve të shtetit. Fliste biri që kishte mbetur larg nënës dhe që, megjithëse vetë ndodhej në burg, përpiqej ta ngushëllonte atë.
Ka diçka të thellë në këtë përmbysje. Nëna, që dikur e kishte mbrojtur fëmijën nga vështirësitë e jetës, tani nuk mund ta mbronte nga burgu. Ndërsa biri, që kishte nevojë për ngushëllimin e saj, përpiqej t’i jepte asaj forcë. Ishin dy njerëz të ndarë nga një portë, por të lidhur nga e njëjta pritje. Ajo priste kthimin e tij. Ai priste ditën kur mund të kthehej. Dhe midis tyre qëndronte koha, e cila nuk i trajtonte të dy njësoj, por u merrte diçka të dyve.
Kur Jakup Krasniqi doli nga burgjet jugosllave, Kosova vazhdonte të ishte nën sundimin serb. Ai ishte kthyer në shtëpi, por nuk ishte kthyer në një vend të lirë. Vitet e burgimit kishin përfunduar, ndërsa arsyeja politike për të cilën kishte vepruar vazhdonte të ishte e pranishme. Ai iu kthye angazhimit për të drejtat e popullit të vet dhe më vonë mori pjesë në përpjekjen çlirimtare. Mësuesi që kishte ligjëruar për lirinë e popujve u bë zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një kohë kur Drenica dhe gjithë vendi po kalonin një nga periudhat më vendimtare të historisë së tyre.
Më pas erdhi çlirimi. Kosova doli nga lufta dhe, vite më vonë, u bë shtet i pavarur. Jakup Krasniqi u bë kryetar i Kuvendit dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Republikës. Në një jetë të vetme, ai kishte kaluar nga burgu i një shteti që ia mohonte Kosovës lirinë, në krye të institucioneve të shtetit të lirë. Ishte një nga ato kthesat që historia i krijon rrallë, njeriu që dikur kishte qenë i burgosur politik, tani përfaqësonte Republikën që brezi i tij kishte synuar ta ndërtonte.
Mund të mendohej se historia, pas gjithë atyre viteve, kishte përfunduar më në fund punë me të. Se njeriu që kishte njohur burgun, luftën dhe shtetndërtimin, tani mund t’i kalonte vitet e pleqërisë larg ngjarjeve të mëdha. Por në nëntor të vitit 2020, Jakup Krasniqi u dërgua në Hagë. Pas dekadash të tëra, një tjetër portë burgu u shfaq në jetën e tij. Ishte një epokë tjetër, një sistem tjetër gjyqësor dhe një Kosovë tjetër. Vendi i tij tashmë ishte shtet, ndërsa ai kishte hyrë në vitet e pleqërisë.
Dy shekuj kishin kaluar mbi jetën e tij. Regjimet kishin ndryshuar, shtetet ishin shembur, Kosova ishte çliruar dhe brezat e rinj kishin ardhur në jetë. Por hija e portës vazhdonte të ishte e pranishme. Nuk ishte e njëjta portë dhe as burgimet nuk kishin të njëjtën natyrë juridike. Megjithatë, në kuptimin më njerëzor të saj, ajo mbetej kufiri midis njeriut dhe jetës që dëshironte të jetonte.
Këtu biografia e Jakup Krasniqit të sjell ndër mend Nelson Mandelën dhe Adem Demaçin. Mandela kaloi mbi njëzet e shtatë vjet në burgjet e aparteidit, ndërsa Demaçi njëzet e tetë vjet në burgjet jugosllave. Jakup Krasniqi, me burgimin e mëparshëm politik dhe dënimin e ri të shqiptuar në shkallë të parë, përballet me mundësinë që periudha e përgjithshme e burgimit të tij të tejkalojë vitet e Mandelës dhe Demaçit. Por ky nuk është një krahasim i vuajtjeve. Historia nuk i mat njerëzit vetëm me vitet që kanë kaluar në burg. Ajo i kujton edhe për bindjet, veprat dhe për gjurmët që kanë lënë në kohën e tyre.
Në këtë histori ka edhe një vazhdimësi që nuk mund të gjendet në dokumentet e burgjeve. Ajo jeton te brezat që vijnë pas. Toska dhe Gega, mbesa dhe nipi i Jakup Krasniqit, mbajnë dy emra që simbolikisht lidhin jugun dhe veriun, toskërishten dhe gegërishten, dy tradita të një populli. Gjyshi i tyre u rrit në një Kosovë që kërkonte lirine, ata kanë lindur në një Kosovë që është shtet. Për ta, ajo që brezi i gjyshit kërkonte të arrinte është pjesë e natyrshme e jetës. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron kuptimi më i thellë i vazhdimësisë kombëtare, që një brez të përballojë historinë, në mënyrë që brezi tjetër të mos detyrohet ta përsërisë atë.
Në maj të vitit 2024, Toska e vogël e vizitoi gjyshin në Hagë, ku, sipas rrëfimit të familjes, qau, qeshi dhe fjeti në krahët e tij. Ishte një çast i thjeshtë, që në rrethana të tjera mund të kishte kaluar pa u kujtuar gjatë. Por këtu ndodhi brenda një burgu. Dhe kështu, një pamje e zakonshme familjare u bë pjesë e një historie të jashtëzakonshme, gjyshi që dikur i shkruante nënës nga burgu, dekada më vonë mbante në krahë mbesën e tij gjatë një vizite në një tjetër burg.
Ndoshta një ditë, kur Toska dhe Gega të rriten, do ta lexojnë atë letër të shkurtit 1987. Do të mësojnë për fëmijërinë në Negrovc, burgun politik, luftën, çlirimin dhe shtetin. Do të kuptojnë se historia që ata e mësojnë si e kaluar, për gjyshin e tyre kishte qenë jetë. Dhe atëherë do të kuptojnë se liria nuk është vetëm një ngjarje që ndodh një herë, por edhe një trashëgimi që secili brez duhet ta ruajë.
Në fund, gjithçka kthehet te tri dyert. E para, ajo e shtëpisë, nga e cila njeriu del dhe ku shpreson të kthehet. E dyta, ajo e shkollës, ku mëson për botën dhe historinë e saj. Dhe e treta, ajo e burgut, ku mëson se koha mund të kalojë edhe pa të. Jakup Krasniqi i njohu të tria. E para i dha rrënjët, e dyta dijen, ndërsa e treta ia mori vite të tëra të jetës.
Nuk e di çfarë kujton sot më shpesh. Fëmijërinë në Negrovc, vitet e mësimdhënies, bashkëshorten e fëmijët, letrën drejtuar nënës, luftën çlirimtare, burgun e parë apo ditët e çlirimit. Këto janë kujtime që i përkasin vetëm atij. Por biografia e tij të çon drejt një mendimi të rëndë, njeriu mund të marrë pjesë në ndryshimin e historisë së një populli, pa mundur gjithmonë ta ndryshojë rrjedhën e jetës së vet.
Ndoshta një ditë, kur kjo epokë të jetë bërë histori, dikush do ta shkruajë jetën e Jakup Krasniqit nga fillimi. Në atë libër do të ketë data, burgje, luftë, institucione dhe vendime. Por do të doja që kapitulli i fundit të mos përfundonte në një sallë gjyqi. Do të doja të përfundonte në Drenicë, në një shtëpi të zakonshme, me një njeri që mund t’i kalojë vitet e mbetura pranë familjes së tij, pa pasur nevojë t’i numërojë ditët deri në vizitën e ardhshme.
Dy shekuj kaluan mbi Jakup Krasniqin. Regjimet ndryshuan, Kosova u çlirua, shteti u bë realitet dhe brezat e rinj erdhën në jetë. Por hija e së njëjtës portë vazhdoi ta ndiqte njeriun që e kishte lidhur jetën me idealin e lirisë.
Dhe ndoshta historia do ta ketë shkruar kapitullin e saj më njerëzor jo ditën kur Jakup Krasniqi hyri në burg, as ditën kur qëndroi në krye të institucioneve të Republikës, por ditën kur ajo portë të hapet dhe ai të mund të kthehet në Drenicë.
Atje ku nisi gjithçka. Atje ku, përpara se të bëhej pjesë e historisë së një populli, ai ishte thjesht Jakup Krasniqi.



