‘Nuk varemi nga Cristiano’, Pedro Neto sqaron rolin e Ronaldos në kombëtaren e Portugalisë
Sulmuesi anësor i Portugalisë, Pedro Neto, ka hedhur poshtë idenë se kombëtarja portugeze varet tërësisht nga paraqitjet e Cristiano Ronaldos.
Ronaldo së fundmi u rikthye te golat me dy realizime në fitoren 5:0 ndaj Uzbekistanit, në kuadër të fazës së grupeve të Kupës së Botës. Kjo erdhi pas një ndeshjeje hapëse më të qetë, ku ai nuk arriti të shënonte apo të asistonte në barazimin 1:1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos.
Paraqitja e parë e Ronaldos në këtë Botëror nxiti debate rreth varësisë së Portugalisë nga ylli i Al Nassr FC, por një mendim të tillë nuk e ndan edhe Neto.
“Mendoj se Cristiano është shumë i rëndësishëm për ne, por besoj se fjala ‘varësi’ është paksa e fortë”, ka deklaruar fillimisht Neto.
“Po, e kuptojmë se nëse ia dërgojmë topin brenda zonës së rreptësisë, ka një probabilitet shumë të lartë që ai të shënojë. Megjithatë, ne krijojmë mundësi për të gjithë lojtarët në fushë dhe kjo është pikërisht ajo mbi të cilën punojmë”.
“Ne kemi taktikat tona dhe stilin tonë të lojës. Nuk mendoj se varemi nga Cristiano, por sigurisht që kemi besim të plotë tek ai”, ka përfunduar sulmuesi anësor i Portugalisë.



