Propagandave po u bie besueshmëria
Kandidatja për deputete e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka deklaruar se propaganda politike po e humb gjithnjë e më shumë besueshmërinë, duke vlerësuar se qytetarët tashmë i gjykojnë qeveritë nga realiteti i përditshëm dhe jo nga sloganët apo marketingu politik.
Sipas saj, propagandat vazhdojnë të funksionojnë vetëm brenda partive politike, ndërsa ato të aparateve shtetërore nuk kanë më ndikimin që kishin dikur.
Ismaili-Ahmeti ka përmendur edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se propaganda e investuar prej tyre nuk po “shitet” më, pasi realiteti nuk mund të fshihet pafundësisht.
Postimi i plotë i saj:
Aktualisht, vetëm propagandat brenda partive janë duke u shitur. Propagandat e aparateve shtetërore nuk po dhezin më siç bënin.
Ja për shembull, gjithë propaganda e investuar nga Edi Rama dhe Albin Kurti nuk po shitet më. Sepse mund të investosh në sloganë, në marketing politik e në propagandë të përditshme, por nuk mund ta fshehësh pafund realitetin. Qytetarët i gjykojnë
qeveritë/qeverisjet nga jeta që bëjnë çdo ditë.
Faktet në terren po flasin vetë.
Moszhvillimi, varfëria, korrupsioni, largimi i të rinjve, ngecja ekonomike dhe mungesa e investimeve serioze janë dëshmia më e qartë se propaganda nuk mund ta zëvendësojë qeverisjen.
Qytetarët nuk i bind më imazhi i krijuar në rrjete sociale apo fjalimet. Ata nuk binden nga histeria e pushtetarëve të mëdhenj që humbin terren, aq më pak nga lotët e tyre të krokodilit patriotik që nxjerrin.
Realitetet po ndeshen me propagandën, dhe është propaganda ajo që po humb besueshmërinë. Besimi në aktivizmin qytetar po rikthehet. Ky është lajm i mirë, për të gjithë!



