Ambasadori suedez: Kosova ka nevojë për unitet politik, kompromisi është forcë, e jo dobësi
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund ka bërë thirrje për unitet dhe kompromis mes partive politike në Kosovë, duke vlerësuar se zvarritja e procesit të formimit të institucioneve po ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Westerlund tha se vështirësitë në krijimin e qeverive nuk janë vetëm fenomen në Kosovë, por po shfaqen gjithnjë e më shumë edhe në vende të tjera evropiane.
“Fatkeqësisht, ky është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në mbarë botën po bëhet më i vështirë formimi i koalicioneve qeverisëse dhe krijimi i qeverive. Por Kosova, si një shtet i ri, është shumë më e ndjeshme ndaj këtyre sfidave sesa shtetet e tjera. Mendoj se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të përpiqen të gjejnë një lloj uniteti kombëtar dhe më pas të formojnë një qeveri. Nuk do të veçoj ndonjë aktor të caktuar si fajtor. Besoj se të gjithë duhet të bashkohen dhe të krijojnë një frymë uniteti kombëtar”, tha Westerlund.
Ambasadori suedez tha se pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit dhe fillimin e konsultimeve për krijimin e qeverisë, duke u bërë thirrje partive politike që të tregojnë gatishmëri për kompromis.
“Po, sigurisht. Ende po presim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe e kuptoj që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të fillojë konsultimet sapo të kemi rezultatet përfundimtare. Unë mund t’u bëj thirrje të gjitha partive politike të bëjnë kompromise. Në pjesën e Evropës prej nga vij unë, kompromisi nuk shihet si dobësi, por si forcë. Kjo situatë po vazhdon prej shumë kohësh dhe mendoj se është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkohen dhe të krijojnë një lloj uniteti kombëtar. Siç thashë, kjo po ndodh edhe në vende të tjera evropiane dhe në vende të tjera të botës, por Kosova është më e cenueshme se shumë vende të tjera. Kjo po pengon zhvillimin ekonomik të vendit dhe, si pasojë, do të ketë më pak mundësi punësimi. Prandaj është e rëndësishme të ecet përpara. Kosova ka një nga kushtetutat më moderne në botë. Pra, kushtetuta nuk është domosdoshmërisht sfida; më tepër sfidë është zbatimi i saj. Megjithatë, ndoshta duhet të ketë një diskutim se si partitë politike mund të bashkëpunojnë në të ardhmen dhe të shqyrtojnë kushtetutën, për të arritur një marrëveshje se si qeveritë mund të formohen më lehtë në të ardhmen.”, tha Westerlund për Ekonomia Online.
Ai tha se situata politike në Kosovë po ndiqet me shqetësim edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova nuk është e vetmja në këtë situatë. Nuk dua të përmend vende të tjera, por kjo po ndodh edhe në pjesë të tjera të Evropës. Megjithatë, mendoj se kryeqytetet e rajonit janë të shqetësuara. Ka shqetësim në Bruksel dhe besoj se shumë kryeqytete evropiane, përfshirë Stokholmin, janë gjithashtu të shqetësuara. Prandaj duhet të gjendet një zgjidhje”, u shpreh ai.
Westerlund, ritheksoi se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe se krijimi i institucioneve funksionale është i domosdoshëm për avancimin e vendit në procesin e integrimit evropian.
“Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë politikanët të ulen bashkë dhe të shohin se si Kosova mund të bëhet anëtare sa më shpejt të jetë e mundur. Siç e dini, Shqipëria dhe Mali i Zi po ecin përpara drejt anëtarësimit në BE dhe mund të bëhen anëtare brenda pak vitesh. Është e rëndësishme që edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të ndjekin të njëjtën rrugë sa më shpejt që të jetë e mundur. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme për Kosovën. Kjo do të thotë më shumë vende pune, një qeverisje më të qëndrueshme dhe më shumë stabilitet. Në të ardhmen, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe më pas në NATO do të sillte përfitime të mëdha për vendin.”, tha Westerlund.



