Një kujtim për komandantin e UÇK-së, Sahit Jasharin: Lavdia i takon Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

28 qershor 2026 | 11:24

Prof. Agim R. ZOGAJ

Në Drenicë, qerdhen e kryengritësve
Në janarin e ftohtë të vitit 2024, nipërve, Aaronit, Dionit dhe, mbesave, Evës dhe Enxhit u kisha premtuar se, sërish, në marsin e asaj pranvere do të shkonim për t’i bërë nderime Kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, familjës Jashari, martirëve, të rënë heroikisht më 5, 6, 7 mars 1998, në luftimet kundër hordhive të pushtuesit serb. Recitonin këngë për UÇK-në, për Adem Jasharin, dhe, sa herë që i takoja më pyesnin, kur vie marsi, e unë ju thosha: shpejt, shumë shpejt, sa të kaloi dimri. Të lumtur, se po rriten në në liri, me ëndërrat fëmijërore sërish më thoshin: mos e harro premtimin, duam ta shohim Prekazin e Adem Jasharit, Drenicën e UÇK-së! Ndërkohë, gjatë ligjeratave, në lëndën, Historia e mendimit politik shqiptar, kur po ligjëroja për, lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën e saj çlirimtare dhe të popullit tonë, studentëve ju thashë se, Prekazi, Drenica, është djepi i ideve të lirisë, të çlirimit, të themelimit të shtetit të pavarur, sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht, Kosovës tonë! Ju tregova se, në cilësi të Shefit të Departamentit të Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, për çdo mars, shkoja me studentët për tu bërë nderime martirëve, dëshmorëve, heronjëve tanë, për tu përkulur para historisë të së përndriturës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ju bëra me dije se, atë marsin e vitit 2024 do të shkoja me mbesat, fëmijët, familjën në Prekaz dhe do ta takonim, Sahit Jasharin, një ndër bashkëluftëtarët më të afërt, më besnik, më guximtar të Kryekomandantit të UÇK-së! Vlorë Jasharit, studentës së shkëlqyer të studimeve Master në Departamentin e Historisë të Fakultetit Filozofik i thashë që ta paralajmëronte, komandantin, veteranin e respektuar të UÇK-së, Sahit Jasharin!
Në mengjesin me diell, të 5 marsit 2023, të gjithë të entuziazmuar, ishim nisur drejt Prekazit legjendar. Gjatë rrugës, unë ju rrëfeja si i kisha parë, në fillim të shkurtut 1998, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin, menjëherë pas sulmit serb, më 22 janar 1998, ndaj familjës së Jasharve. Kurreshtja e mbesave, e fëmijëve, time shoqe, Shkumbinit e Arbinit vazhdonte të ishte e veçantë, aq më afër që ishim drejt Prekazit. Me të arritur në Prekaz, një lum njerëzish, të ardhur nga anë e mban Kosovës dhe mërgatës po u bënin nderime, atyre të cilët, kishin rënë për lirinë, çlirimin, themelimin e shtetit të Kosovës. Emocione, jo vetëm te Eva, Enxhi, Vjollca, Rina, Bardha…Bëm homazhe, te varri i Kryekomandantit të UÇK-së, vendosëm lule, bëm fotografi kujtese me ushtarët e Kosovës! Në oborrin e Kullave të Jasharve, i kujtoja detajet e atij takimi me kryetrimat e UÇK-së, bisedat në odën e madhe të Jasharve, bisedën, me Hamzën, takimin me Adem Jasharin, i rrethuar me bashkëluftëtarët e tij… Eva dhe Enxhi, derisa po mahniteshin me Kullat e Jasharve, vazhdimisht më pyesnin: Gjysh, tregona, si dukej Adem Jashari, Hamza, baca Shaban…?! A kishte shumë bashkëluftëtar Adem Jashari, çfarë armë kishin, ku e kishte shtëpinë UÇK-ja? Të gjithëve, na kishte përfshirë ndjenja e kurreshtjës, ishim në Prekazin e Drenicës, në qerdhen e kryengritësve shqiptarë, trimave, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përballë e kishim, Komandantin e UÇK-së, Sahit Jasharin, bashkëluftëtarin e Adem Jasharit

Mesdita po afronte, Prekazi, i Drenicës, i kësaj cope toke të Atdheut Kosovë, po i priste bashkëkombasit, si gjithmonë, në festën tonë kombëtare, në djepin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kujtimin e historisë së betejave të Kryekomandantit Adem Jashari me bashkëluftëtarë! Me një gëzim të madh dhe drithërim lumturie po i afroheshim shtëpisë, Kullës së Komandantit të UÇK-së, Sahit Jasharit, një ndër bashkëluftëtarit të orëve të para të betejave të Adem Jasharit, të bacës Shaban, të Hamzës dhe trimave tjerë të UÇK-së. Vlora, e bija e Sahit Jasharit kishte dalë për mirëpritje. Në ato çaste, edhe mua më kishte mbërthyar një emocion sepse, sa e sa herë kisha dëgjuar për betejat e Sahit Jasharit bashkë me Kryekomandantin dhe trimat e lirisë. Komandantin e UÇK-së, Sahit Jashari, e kisha takuar dhe gjatë kishim bashkëbiseduar, me të përfunduar lufta. Sa herë që jam në Prekaz, sikur e dëgjoj jehonën: O prite, prite Adem Jasharin, UÇK-në!
Entuziazmi ishte mbreslënës, sepse, pas pak çaste po takoheshim me Komandantin e UÇK-së, luftëtarin e lirisë, trimin e Drenicës dhe të Kosovës, Sahit Jasharin. Unë hyra i pari, në odën e shndritshme të familjës së Sahit Jasharit, tjerët pas meje, ndër ta edhe dy mbesat nxënëse, për të cilat ajo ditë, vendosja e luleve në pllakën e varrit të Kryekomandantit Adem Jashari dhe privilegji, ta shihnin me sytë e tyre, Sahit Jasharin e UÇK-së, ishte ditë magjike!
Posa hyjmë në odën e mbuluar me flamurin ne UÇK-së, flamurin kombëtar, të shtetit të Kosovës, flamurin e Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së, flamurin e SHBA-së, fotografitë e Adem Jasharit e Mujë Krasniqit, Sahit Komandanti, me hapa të mëdhenj dhe krejt qetësisht, me dashamirëri drenicake, na u drejtua për të na dëshiruar mikpritje. U përqafua me ne, sikur të ishim njohur 100 vjet, priti që, së pari, të uleshim ne dhe pastaj, ai, tani veteran i nderuar i luftës së UÇK-së, zuri vend, me krejt modestinë e tij. Përballë e kishim, Komandantin e lavdishëm të UÇK-së, luftëtarin e orëve të para të lirisë, edhe para themelimit dhe daljës së parë publike të UÇK-së. Eva dhe Enxhi, tërë kohën, po e shikonin me plot emocion të zotin e shtëpisë, dhe sikur, po mundoheshin t’i imagjinon në kujtesën e tyre, betejat e Sahit Jasharit, së bashku me Kryetrimin e UÇK-së, Adem Jasharin, me djemtë e lirisë. Për herë të parë ishin, aq afër, pranë UÇK-së, lavdisë së saj të përmotshme! Ta shihje Sahit Jasharin, do të thoshte ndjenja sikur po e prekje UÇK-në, shpirtin e saj! Çdo fjalë që, Sahit Jashari e fliste, ato e perceptonin me shikim habitës, plot kurreshtje dhe njëherazi, lumturi. Sidomos, kur, Komandanti, Veterani i UÇK-së, rrëfente detaje për organizimet luftarake me Adem Jasharin, për aksionet e UÇK-së, kundër policisë dhe ushtrisë pushtuese të Serbisë. Fliste Komandant, Sahit Jashari për trimërinë, vendosmërinë e Adem Jasharit, Hamzës, bacës Shaban dhe trimave të UÇK-së, për ta luftuar pushtuesin serb! Rrëfente për organizimet e para të Çetës së Adem Jasharit, për organizimet për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betejat nëpër Drenicë dhe anë e mban Kosovës. Asnjëherë nuk fliste në vetën e parë, dhe kjo, Sahit Jasharin e UÇK-së e bënte akoma më të madh. Disa herë theksoi se, lavdia për çlirimin e Kosovës nga sundimi i Serbisë, për shpalljen e shtetit të Kosovës i takon UÇK-së, të rënëve, martirëve, dëshmorëve, heronjëve, popullit mbarë. Sepse, siç e theksoi mikpritësi ynë, i madh e i vogël kanë dhënë kontribut për çlirim, për liri, për shtetin e Kosovës. Komandanti i UÇK-së, Sahit Jashari, nxënësve të ardhur nga Prishtina ju tha se, duhet të mësojnë, sepse, rinia e Kosovës me mësime të shkëlqyera, me atdhedashuri e jep kontributin për forcimin, afirmimin e shtetit të Kosovës, e nderon luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Dielli kishte nisur të perëndonte, kur ne, një nga një u përshendetëm, i thamë lamtumirë, mikpritësit tonë, Komandantit sypatrembur, të urtë e të dashur, Sahit Jashari! Lavdi, veprës së tij kombëtare!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Safet Gërxhaliu  Shuma e eksporteve individuale të gjashtë shteteve…