Vuçiqi njofton se shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi do të nisë në mars

28 qershor 2026 | 15:17

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se në mars të vitit 2027 do të nisë kryerja e një shërbimi të detyrueshëm ushtarak “shumë të shkurtër”.

Ai e bëri këtë njoftim gjatë një vizite për inspektimin e armatimit dhe pajisjeve në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviq” në Batajnicë, pranë Beogradit.

“Para kësaj do të fillojnë procedurat burokratike, ndërsa në mars do të fillojmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do t’i forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Vuçiq.

Ai nuk shpjegoi se sa do të zgjasë saktësisht ky shërbim “shumë i shkurtër”.

Në fillim të këtij viti, ai kishte paralajmëruar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të rikthehej në dhjetor 2026 ose në mars 2027, dhe se do të zgjaste 75 ditë.

Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet ta marrë pëlqimin e Kuvendit të Serbisë.

Përfaqësuesit e Qeverisë kanë njoftuar vazhdimisht kthimin e shërbimit ushtarak vitet e fundit.

Ideja u konkretizua në janar 2024. Pastaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe nisi një iniciativë dhe i propozoi presidentit kthimin e shërbimit ushtarak.

Vuçiq më pas, në shtator të të njëjtit vit, nënshkroi një marrëveshje për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi.

Që nga heqja e tij më 1 janar 2011, shërbimi ushtarak ka qenë vullnetar.

Kroacia fqinje votoi gjithashtu për ta kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në tetor 2025.

Ndër vendet që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Greqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK) ka njoftuar…