Adhurim Krasniqi: Dhimbja e familjes Salihu është dhimbje e secilit që vlerëson sakrificën për atdheun
Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Adhurim Krasniqi, së bashku me strukturat e degës, mori pjesë në të pamën e organizuar në Villmergen të kantonit Aargau, për t’i shprehur ngushëllimet familjes Salihu pas ndarjes tragjike nga jeta të Blerim Jashar Salihut.
Me këtë rast, Krasniqi theksoi se në traditën shqiptare dhimbja nuk bartet kurrë vetëm, por ndahet me familjen dhe të afërmit në shenjë solidariteti dhe respekti.
“Në traditën tonë shqiptare, dhimbja nuk bartet kurrë vetëm. Në ditët më të vështira, ne qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, ndajmë pikëllimin, kujtojmë të ndjerët dhe i japim forcë familjes për ta përballuar humbjen. Kjo është një nga vlerat më fisnike që na ka trashëguar kombi ynë.
Sot, së bashku me strukturat e Degës së PDK-së në Zvicër, morëm pjesë në të pamën në Villmergen të Aargaut për t’i shprehur ngushëllimet tona familjes Salihu, me rastin e ndarjes tragjike nga jeta të Blerim Jashar Salihut.
Me dhimbje të thellë takuam familjen e nderuar të Gjeneral Jashar Salihut, një prej shtyllave kryesore të organizimit, logjistikës dhe luftës së UÇK-së, i cili ia kushtoi jetën çështjes së lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Sot, në gjirin e tokës së Kosovës, për të cilën Gjeneral Jashar Salihu sakrifikoi një jetë të tërë, prehet përgjithmonë edhe biri i tij, Blerimi, në Botushën heroike. Kjo e bën dhimbjen edhe më të rëndë, por njëkohësisht e lidh përjetësisht emrin e tij me vendlindjen dhe me tokën për të cilën familja Salihu dha aq shumë.
Familjes Salihu i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta, duke u lutur që Zoti t’u japë forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të madhe.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Blerim Jashar Salihun. U prehtë në paqe”, ka shkruar Adhurim Krasniqi, kryetar i Degës së PDK-së në Zvicër.



