Ademi uron FC 2 Korriku në përvjetorin e themelimit: Klub me histori të veçantë dhe simbol i përkushtimit ndaj futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka vizituar FC 2 Korriku me rastin e përvjetorit të themelimit të klubit, duke e vlerësuar atë si një klub me histori të veçantë, që mban me krenari emrin e 2 Korrikut 1990, datës së Deklaratës Kushtetuese, një prej momenteve më të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.
Në një postim në “Facebook”, Ademi ka theksuar se FC 2 Korriku, i themeluar në kohë sfiduese, është shndërruar në simbol të përkushtimit dhe zhvillimit të futbollit, ndërsa sot vazhdon të edukojë dhe promovojë gjenerata të reja në kushte moderne.
Ai ka bërë me dije se ka marrë pjesë edhe në turneun e njomakëve, ku janë mbledhur klube nga të gjitha trojet shqiptare.
“Ky aktivitet dëshmon se futbolli i bashkon të rinjtë, krijon miqësi dhe forcon lidhjet mes klubeve tona”, ka shkruar Ademi.
Sipas tij, prania e fëmijëve në fushë rikujton me respekt gjeneratat që luajtën në kushte të vështira, me sakrificë dhe përkushtim, duke e mbajtur gjallë futbollin në periudhat më të rënda të Kosovës.
“Falë tyre, sot të rinjtë tanë kanë mundësi shumë më të mira për ta ndërtuar të ardhmen e futbollit”, ka shkruar Ademi.
Në fund, presidenti i FFK-së ka uruar FC 2 Korriku për përvjetorin e themelimit, duke i dëshiruar suksese dhe vazhdimësi në misionin për zhvillimin e futbollistëve të rinj.



