Kolegjiumi i Degëve të LDK-së rikonfirmon mbështetjen për Abdixhikun, zgjedhjet e brendshme në vitin 2027

29 qershor 2026 | 18:57

Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur të hënën në selinë qendrore të partisë, ka shqyrtuar zhvillimet politike në vend, rezultatin e zgjedhjeve, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në periudhën e fundit.

Në deklaratën e miratuar pas mbledhjes, Kolegjiumi vlerësoi punën e strukturave të partisë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se LDK ka shënuar rritje të mbështetjes qytetare krahasuar me zgjedhjet paraprake.

Njëkohësisht, u kërkua një analizë e plotë e rezultatit zgjedhor për të identifikuar hapësirat për përmirësim të organizimit dhe veprimit politik.

Kolegjiumi rikonfirmoi mbështetjen e plotë për kryetarin dhe Kryesinë e LDK-së në ushtrimin e përgjegjësive politike dhe statutore, si dhe për angazhimin e tyre në ruajtjen e stabilitetit institucional dhe përfaqësimin e vlerave të partisë.

Në deklaratë u theksua gjithashtu përkushtimi i LDK-së për ndërtimin e institucioneve funksionale, respektimin e rendit kushtetues dhe ofrimin e zgjidhjeve në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Sa i përket organizimit të brendshëm, Kolegjiumi ritheksoi se të gjitha proceset rregullohen me Statutin e partisë dhe se zgjedhjet e rregullta për strukturat drejtuese do të mbahen gjatë vitit 2027, sipas afateve statutore.

Në fund, u bë thirrje për unitet dhe angazhim të të gjitha strukturave të LDK-së në forcimin e partisë, duke ritheksuar se LDK do të vazhdojë veprimin e saj mbi parimet e demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale.

DEKLARATA E KOLEGJIUMIT TË DEGËVE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS:

Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur sot në selinë qendrore të LDK-së, shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.

Pas diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve:

1. Vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së.

2. Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit.

3. Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar.

4. Rithekson se çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.

5. Fton të gjitha strukturat, anëtarët dhe funksionarët e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta përqendrojnë në forcimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ruajtjen e unitetit të saj dhe në përmbushjen e përgjegjësive që kemi ndaj qytetarëve dhe Republikës.

Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë…