Alarm nga Kraja: Ndalimi i kultivimit të duhanit nga Qeveria e Malit të Zi i lë familjet pa burimin e vetëm të jetesës

30 qershor 2026 | 00:38

Një banore e fshatit Dragoviq të Krajës, Shyqyrije Draga, ka publikuar një apel publik drejtuar Qeverisë së Malit të Zi, duke shprehur shqetësimin e saj për ndalimin e kultivimit të duhanit dhe vështirësitë e shumta me të cilat përballen familjet në këtë zonë.

Zona e Krajës është e njohur për kultivimin e duhanit nga i cili pothuaj çdo familje me shumë punë e vështirësi kanë siguruar jetesën e tyre. Kultivimi i duhanit këtu ka një traditë të gjatë, madje shekullore, për shkak të tipologjisë së tokës dhe kushteve klimatike.

Sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, Kraja me sipërfaqe prej 143.8 km 2 ka 1,881 banorë. Shumica e banorëve të Krajës janë shqiptarë.

Sipas Shyqyrije Dragajt, inspektorati ka njoftuar banorët se nuk do të lejohen më të mbjellin duhan, i cili për shumë familje përfaqëson burimin e vetëm të të ardhurave, shkruan “Epoka e re”.

Ajo thekson se nuk u është ofruar asnjë alternativë për mbijetesë.

Draga rrëfen se është nënë e një djali me aftësi të kufizuara, i cili ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor, ndërsa përballet me mungesë transporti, shërbime të kufizuara shëndetësore, rrugë të amortizuara dhe probleme të vazhdueshme me furnizimin me ujë.

Në fund të apelit, ajo i bën thirrje Qeverisë së Malit të Zi që të mos ua heqë familjeve burimin e vetëm të jetesës pa ofruar një zgjidhje dhe kërkon më shumë vëmendje për banorët e Krajës dhe fshatrave përreth.

Reagimi i plotë i Shyqyrije Dragajt:

Një thirrje nga zemra për Qeverinë e Malit të Zi dhe për çdo njeri që e lexon këtë.
A e dini si është të zgjohesh çdo mëngjes me frikën se si do ta ushqesh familjen? A e dini si është të kesh një fëmijë me aftësi të kufizuara, me disa diagnoza, dhe të mos kesh as ambulancë, as farmaci, as transport kur ai ka nevojë për mjek?
Unë e di. Sepse kjo është jeta jonë.
Jetojmë në Dragoviq të Krajës. Sot në mëngjes erdhi inspektorati dhe na tha se nuk guxojmë më të mbjellim duhan. Por askush nuk na tha: “Si do të jetoni nesër? Si do t’i ushqeni fëmijët tuaj?”
Për shumë familje, duhani nuk është luks. Është buka e gojës. Është mënyra e vetme për të mbijetuar.
Kam një djalë me aftësi të kufizuara që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm. Sa herë duhet ta çoj në Podgoricë për vizita, më duhet të kërkoj ndihmën e njerëzve, sepse nuk ka transport për ta çuar vajzën në shkollë. Ambulanca dhe farmacia punojnë shumë rrallë. Rrugët janë të këqija. Problemet me ujin vazhdojnë. Ndihemi sikur nuk ekzistojmë.
A jemi edhe ne qytetarë të këtij shteti? A kanë vlerë edhe jetët tona?
Ne nuk po kërkojmë pasuri. Nuk po kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm të drejtën për të jetuar me dinjitet, për të rritur fëmijët tanë dhe për të mos u harruar.
Qeveri e Malit të Zi, mos na hiqni edhe kafshatën e fundit të bukës pa na dhënë një zgjidhje. Mos na lini në harresë. Shikoni edhe Krajën. Shikoni edhe Dragoviqin. Shkoni edhe në fshatrat e tjera. Shikoni edhe familjet tona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vala rekord e të nxehtit që ka përfshirë Europën gjatë javëve…