Kurti: BE-ja duhet t’i përgjigjet vullnetit të Kosovës për anëtarësim
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, në vizitën e saj të parë në Republikën e Kosovës.
Kurti ka thënë se vendi ynë është lider rajonal në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike e liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale.
“Krahas linjëzimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në, si dhe përparimit në përmbushjen e reformave evropiane, ne kemi shënuar rritje të vazhdueshme ekonomike dhe për herë të parë pas 15 vjetësh Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na kanë larguar nga listat e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet. Bashkimi Evropian është kontribues i madh në zhvillimin e Republikës sonë, ndërsa anëtarësimi është qëllimi dhe e ardhmja e Kosovës. Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave, janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, ka thënë Kurti pas takimit.
Ai ka treguar se në takim biseduan edhe për Planin e Rritjes, integrimin në zonën “Roam Like at Home”, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, sikurse edhe infrastrukturën, tregtinë, digjitalizimin e arsimin.



