Edward Joseph: Kosova në krizë politike që rrezikon marrëdhëniet me SHBA dhe BE
Në emisionin “Politiko”, profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Edward P. Joseph, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë, dialogun me Serbinë dhe raportet me SHBA-në dhe BE-në.
Ai theksoi se situata aktuale politike në Kosovë është e brishtë dhe se mungesa e stabilitetit institucional po e dëmton pozicionin ndërkombëtar të vendit.
Joseph ka paralajmëruar se asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë një përplasje me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar SHBA-në si partnerin kyç për sigurinë dhe shtetësinë e Kosovës. Sipas tij, çdo ftohje e marrëdhënieve me Uashingtonin ka pasoja direkte politike dhe diplomatike.
Ai e përshkroi situatën e brendshme si krizë artificiale politike, duke kritikuar polarizimin dhe mungesën e koordinimit institucional. Sipas tij, kjo dobëson reformat dhe e ngadalëson rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.
Joseph tha se dialogu me Serbinë është shumë i vështirë në kushtet aktuale, sidomos kur ka mungesë stabiliteti në Kosovë dhe kur Serbia mbetet faktor i fortë në terren diplomatik.
Ai paralajmëroi se Serbia përfiton nga çdo paqëndrueshmëri në Kosovë, duke e shfrytëzuar atë në proceset ndërkombëtare.
Sipas tij, Kosova ka nevojë për fokus të plotë në reforma dhe unitet politik, në mënyrë që të mos humbasë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së në procesin e integrimit.



