Meksika triumfon 2-0 ndaj Ekuadorit
Meksika ka prerë biletën për në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi me rezultat 2-0 ndaj Ekuadorit në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ikonë “Estadio Azteca”.
Takimi nuk nisi sipas planit, pasi një stuhi e fortë që goditi Mexico City detyroi organizatorët ta shtynin fillimin me një orë. Sfida ishte paraparë të fillonte në orën 03:00 sipas kohës lokale, ndërsa FIFA kishte shqyrtuar edhe mundësinë e heqjes së pushimeve për hidratim për të rikuperuar kohën e humbur, por më pas vendosi ta mbante formatin e zakonshëm.
Vendasit hynë fuqishëm në fushë dhe morën menjëherë kontrollin e lojës. Raul Jimenez ishte pranë golit me një goditje me kokë që kaloi fare pranë shtyllës, ndërsa talenti 17-vjeçar Mora provoi fatin nga një kënd i vështirë, por pa sukses.
Ekuadori u kundërpërgjigj në minutën e 18-të, kur Yeboah depërtoi mes mbrojtjes meksikane dhe goditi shtyllën me një tentativë të fortë.
Dominimi i Meksikës u konkretizua katër minuta më vonë. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Julian Quinones mori topin në gjysmën e fushës së tij, përshkoi një distancë të gjatë dhe me një goditje të saktë mposhti portierin kundërshtar për 1-0. Goli u verifikua edhe nga sistemi VAR, i cili konfirmoi se sulmuesi nuk ishte në pozicion jashtë loje.
Në minutën e 31-të erdhi edhe goditja e dytë për Ekuadorin. Pas rikuperimit të topit në zonën kundërshtare, Quinones dhe Raul Jimenez ndërtuan një aksion të bukur, të cilin Jimenez e finalizoi me një goditje të fuqishme për rezultatin 2-0.
Para se skuadrat të shkonin në pushim, Yeboah testoi portierin Raul Rangel, i cili reagoi me një pritje vendimtare, ndërsa në anën tjetër Jimenez humbi edhe një rast të mirë me kokë.
Në pjesën e dytë, trajneri i Ekuadorit bëri dy ndryshime dhe skuadra e tij pati më shumë zotërim të topit. Megjithatë, nuk arriti të krijojë raste të pastra për të rihapur sfidën. Rasti më i mirë ishte një goditje e Enner Valencias, por aksioni u anulua për pozicion jashtë loje.
Edhe pse kishte epërsinë, Meksika vazhdoi të sulmonte. Në minutën e 67-të, Cesar Montes ishte shumë pranë golit të tretë, por portieri Hernan Galindez bëri një ndërhyrje të shkëlqyer dhe shmangu një tjetër gol.
Në minutat e mbetura, Ekuadori nuk gjeti forcë për të rrezikuar seriozisht portën vendase, ndërsa Meksika administroi me qetësi avantazhin deri në vërshëllimën e fundit, duke siguruar fitoren dhe kualifikimin mes 16 skuadrave më të mira të turneut.
Në raundin e 1/8 së finales, meksikanët do të përballen me fituesin e sfidës mes Anglisë dhe Kongos.



