Djali i Jakup Krasniqit kritikon Specialen: Na janë vjedhur 2 049 ditë, por jo e vërteta
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” lidhur me vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së ka kujtuar se nga 4 nëntori i vitit 2020 kanë kaluar gjithsej 2 049 ditë, të cilat i ka cilësuar si “ditë të vjedhura”, duke shtuar se pritjes së familjarëve dhe mbështetësve po i vjen fundi.
“Vërtet na janë vjedhur 2 049 ditë, por nuk do të mund të na e vjedhin kurrë të vërtetën. E ndërsa pritjes po i vjen fundi, kam vetëm një gjë për të thënë: Çlirimtarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten heronj”, ka shkruar Krasniqi.
Reagimi i tij vjen në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon, ndërsa familjarët dhe përkrahësit e tyre kanë kërkuar vazhdimisht përshpejtimin e procedurave gjyqësore.



