Vihet në pikëpyetje samiti i NATO-s në Shqipëri

01 korrik 2026 | 13:35

Teksa udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për samitin në Turqi, që mbahet javën e ardhshme, planet e aleancës për samitin në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje.

Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar nga burimet se Tirana nuk përmendet në draft-deklaratën për samitin e NATO-s – që mbahet në Ankara javën e ardhshme – si vend ku do të mbahet samiti i radhës.

Ndërkaq, agjencia Reuters, duke u thirrur në burime, tha se mbajtja e samitit në Tiranë është vënë në pikëpyetje për shkak të rezistencës nga administrata amerikane dhe pakënaqësia në mesin e shteteve aleate me shpenzimet e ulëta për mbrojtje nga Shqipëria.

Mospërmendja e Shqipërisë në draft-deklaratën vjen teksa anëtarët evropianë të NATO-s synojnë t’i dëshmojnë presidentit amerikan, Donald Trump, në Ankara se kanë bërë përparim sa i përket zotimeve për shpenzimet për mbrojtjen dhe synojnë të shmangin një përplasje të drejtpërdrejtë me udhëheqësin amerikan.

Një nga burimet e Retuersit tha se shpenzimet për mbrojtje të Shqipëri janë të tilla sa po të mbahej samiti i NATO-s në këtë shtet më 2027, Trump mund të zemërohet.

Një diplomat evropian tha se versioni i fundit i tekstit të deklaratës thekson se udhëheqësit mezi presin takimin e tyre të radhës, pa specifikuar kohën dhe vendin ku do të mbahet ky takim. “Draftet janë drafte, jo vendime”, tha një zëdhënës i Qeverisë shqiptare për Reuters kur u pyet për draft-deklaratën, për të cilën ende po negociohet dhe mund të pësojë ndryshime.

Shtëpia e Bardhë nuk deshi të komentonte, ndërkaq një zyrtar i NATO-s tha se nuk do të komentojnë për këtë çështje tani.

Në vitet e fundit, deklaratat zyrtare të samiteve të NATO-s kanë pasur referencë të qartë për vendin e samitit pasues. Në samitin në Hagë të mbajtur vitin e kaluar, udhëheqësit thanë në deklaratën e tyre se “mezi presim të takohemi në Turqi më 2026 dhe më pas në Shqipëri”.

Në të njëjtin samit, udhëheqësit e NATO-s iu përgjigjën kërkesës së Trumpit që të zotohen për 5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në shpenzime të mbrojtjes brenda një dekade.

Shtetet kanë premtuar se do të shpenzojnë 3.5 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm për çështjet bazë të mbrojtjes – si trupat dhe armët – ndërkaq 1.5 për qind në masa të tjera të lidhura me mbrojtjen, sikurse siguria kibernetike.

Derisa shumë shtete të NATO-s kanë rritur buxhetet e tyre për mbrojtjen në muajt e fundit, disa shtete ende nuk e kanë përmbushur qëllimin paraprak të shpenzimeve për këtë fushë deri në 2 për qind.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha më herët gjatë këtij muaji se pothuajse të gjitha shtetet e aleancës e kanë arritur synimin prej 2 për qind. “Vitin e kaluar, Shqipëria, Çekia, Sllovenia nuk e arritën këtë, por janë të përkushtuara që shpenzimet t’i rrisin mbi 2 për qind këtë vit”, tha ai.

Qeveria e Shqipërisë tha në një deklaratë për Reutersin se po “finalizojmë masat e nevojshme fiskale për të harmonizuar shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ato të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 në bazë të trajektores së dakorduar me aleatët e NATO-s në samitin e Hagës”.

“Sapo këto masa të miratohen në ditët në vijim, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe ato të lidhura me mbrojtjen për vitin 2026 do të arrijnë në 2.6 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm në përputhje me Metodologjinë e NATO-s për Shpenzimet e Mbrojtjes. Prej tyre, 2.2 për qind e BPB-së përfaqëson shpenzimet bazë për mbrojtjen, ndërsa 0.4 për qind përfaqëson shpenzime të tjera që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë”, u tha në deklaratë.

Një diplomat evropian tha se Shqipëria ende mund të jetë mikpritëse e samitit. “Ata po i rrisin shpenzimet, të shohim se çfarë do të prodhojë kjo”, tha diplomati, duke shtuar se “unë ende besoj se samiti i radhës do të jetë në Shqipëri”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbështetur parimisht rritjen e…