AKB-ja: Rritja e pagës minimale duhet të bazohet në ligj, e padrejtë që u përjashtuan veteranët e UÇK-së

01 korrik 2026 | 13:22

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbështetur parimisht rritjen e pagave dhe përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, por kundërshton mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka vendosur rritjen e pagës minimale në 500 euro.

“Sipas legjislacionit në fuqi, paga minimale nuk duhet të ndryshohet me vendime të njëanshme, por mbi bazën e kritereve të përcaktuara me ligj dhe pas konsultimeve në Këshillin Ekonomik-Social (KES). Ligji parasheh që gjatë përcaktimit të pagës minimale të merren në konsideratë tregues ekonomikë dhe socialë, si: shkalla e inflacionit, kostoja e jetesës, niveli i pagave, produktiviteti i punës, zhvillimi ekonomik, niveli i punësimit dhe gjendja në tregun e punës”, është thënë në reagimin e AKB-së.

AKB-ja pyet publikisht Qeverinë e Kosovës se: Cilat nga kriteret e përcaktuara me ligj janë analizuar dhe janë përdorur si bazë për rritjen e pagës minimale në 500 euro? Ku është analiza ekonomike që dëshmon se ekonomia dhe bizneset kanë kapacitet ta përballojnë këtë rritje? Pse është anashkaluar Këshilli Ekonomik-Social, institucioni i krijuar me ligj për të ndërtuar konsensus ndërmjet Qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve?

“AKB-ja vlerëson se vendimet që nuk mbështeten në analizë ekonomike dhe dialog social rrezikojnë të rrisin ekonominë joformale, të dëmtojnë konkurrueshmërinë e bizneseve, të rëndojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe të ndikojnë negativisht në punësim. Po ashtu, AKB-ja rikujton se ka qenë organizata e vetme ekonomike që ka kundërshtuar publikisht përjashtimin e veteranëve të UÇK-së nga përfitimi i pagës minimale. Ky përjashtim është i padrejtë dhe bie ndesh me parimin e trajtimit të barabartë. Vendimi do të ishte më i drejtë dhe më gjithëpërfshirës po të mos i linte veteranët jashtë këtij mekanizmi”, është thënë në këtë reagim.

Ndërkaq kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka deklaruar se nuk është kundër rritjes së pagës minimale.

“Përkundrazi, ne mbështesim çdo rritje që bazohet në ligj, analiza ekonomike dhe dialog social. Vendimet e njëanshme krijojnë pasiguri për bizneset dhe rrezikojnë ta shtyjnë ekonominë drejt informalitetit. Qeveria duhet të sqarojë se cilat kritere ligjore ka zbatuar për këtë vendim dhe pse nuk është respektuar roli i Këshillit Ekonomik-Social. AKB-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të respektojë ligjin, të rikthejë dialogun social dhe të marrë vendime ekonomike mbi baza profesionale, në interes të punëtorëve, bizneseve dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit”, ka thënë Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi,…