Mbi 1.5 milionë euro grante për biznese, lansohen skemat për inovacion dhe energji të pastër

03 korrik 2026 | 13:06

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, ka lansuar dy skema grantesh për mbështetjen e bizneseve: skemën për inovacion dhe skemën për energji të pastër, me një buxhet të përgjithshëm prej mbi 1.5 milionë eurosh.

Skema për inovacion, me një buxhet prej 1.16 milionë eurosh, synon të mbështesë zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe proceseve inovative në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Ndërkaq, skema për energji të pastër, me një buxhet prej 380 mijë eurosh, do të financojë investimet në sisteme solare, masa për efiçiencë energjetike dhe pajisje që ulin konsumin e energjisë në ndërmarrje.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, prezantoi skemën për inovacion, e cila, sipas saj, ka për qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe të bizneseve start-up.

Ajo theksoi se në këtë skemë MINTI ka kontribuar me 600 mijë euro, ndërsa LuxDev me 560 mijë euro.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, prezantoi skemën për energji të pastër, e cila do të mbështesë investimet e reja. “Sot po e lansojmë fazën e dytë me një skemë të ngjashme, me një buxhet prej 380 mijë eurosh për të mbështetur investimet e reja. Përmes kësaj skeme, ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë grante deri në 25 mijë euro”, tha Rizvanolli.

I ngarkuari me Punë i Dukatit të Madh të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se LuxDev do të vazhdojë t’i mbështesë bizneset që të rriten dhe të bëhen më të qëndrueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria zë vendin e 43-të në botë nga 199 vende…