Shqipëria renditet e 43-ta në botë për fuqinë e pasaportës
Shqipëria zë vendin e 43-të në botë nga 199 vende të marra në anketë sa i përket numrit të shteteve ku shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza.
Indeksi bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA) dhe kriteri kryesor është numri i vendeve ku qytetarët e një shteti mund të udhëtojnë pa vizë paraprake.
Në krye të listës qëndron Singapori, qytetarët e të cilit udhëtojnë pa vizë në 192 shtete. Vendin e dytë e ndajnë Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe me 188 vende, ndërsa Suedia është e treta me 187.
Vendin e katërt e ndajnë Belgjika, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia dhe Spanja me 186 vende, dhe të pestin Austria, Greqia, Malta, Portugalia dhe Zvicra me 185.
Në rajon, Sllovenia renditet e 7-ta me 183 vende dhe Kroacia e 8-ta me 182. Serbia qëndron në vendin e 34-të.
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë përmirësuar pozicionin e tyre dhe ndajnë vendin e 41-të, me qasje pa viza në 127 shtete, pesë destinacione më shumë se pasaporta shqiptare.



