Qumështorja “Vita” kërkon publikimin e shpejtë të analizave: Puna mund të nisë sot ose nesër
Drejtori gjeneral i kompanisë, Artan Spahija, ka thënë në një konferencë për media se një grup inspektorësh nga institucionet përkatëse ka kryer kontroll në fabrikën “Qumështorja Vita”, pas një vendimi për inspektim urgjent nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja.
Spahija ka thënë se janë marrë mostra të qumështit “Vita 3.2” dhe se qumështorja është në pritje të rezultateve laboratorike.
Ai ka kërkuar që analizat të publikohen sa më shpejt dhe është shprehur se “Vita” është e gatshme të rifillojë grumbullimin menjëherë pas përfundimit të tyre.
“Arsyeja e vizitës së një grupi prej 15 apo 20 personave, fillimisht kanë ardhur si inspektorë, pastaj ka dalë se janë të ministrisë me një vendim që më datë 2.7 ministri në detyrë, Armend Muja, ka dhënë vendim për një kontroll urgjent për qumështoren Vita. Neve na ka ardhur vetëm ky dokument nga këshilltarja e ministrit dhe jo nga dikush tjetër. Për fat të keq mund të them që ka pasur grup punues që nuk është marrë fare me ne, ka pasur nga MINT dhe AUVK dhe të gjithë kanë filluar vizitën në fabrikë. Dua t’ju njoftoj që vendimin për pezullimin nuk e ka marrë as Ministria as AUVK, këtë e kemi marrë ne si bord, arsyeja ka qenë se janë marrë mostrat e qumështit Vita 3.2 me pretendimin për analizë. Ne iu bëjmë apel që sa më shpejt të jetë e mundur të bëhen analizat, të publikohen dhe ne jemi të gatshëm që sot ose nesër të fillojmë me grumbullimin”, ka thënë Spahija.



