Autobus bie në një përrua në Pakistan, 32 persona humbin jetën

03 korrik 2026 | 16:59

Të paktën 32 persona kanë humbur jetën, ndërsa 16 të tjerë janë plagosur pasi një autobus pasagjerësh i mbipopulluar ka rënë në një përrua në jugperëndim të Pakistanit.

Autobusi po udhëtonte nga Quetta drejt Peshawarit, kur u aksidentua në vargmalin Dana Sar, në kufirin ndërmjet provincave Balochistan dhe Khyber Pakhtunkhwa, rreth orës 08:00 sipas kohës lokale (03:00 GMT) të premten.

Një zyrtar i Spitalit të Zhobit i ka bërë të ditur BBC-së se në autobus ndodheshin gjithsej 48 persona, përfshirë gra dhe fëmijë.
Shkaqet e aksidentit janë ende duke u hetuar, por raportet paraprake sugjerojnë se një defekt në sistemin e drejtimit mund ta ketë bërë shoferin të humbasë kontrollin mbi autobusin, i cili më pas ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përrua.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë autobusin të dëmtuar rëndë pas rënies në fund të përroit, raporton BBC.

Zyrtarët kanë konfirmuar se të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Qarkut në Zhob, rreth 68 kilometra larg vendit të aksidentit.

“Autobusi ra nga një lartësi prej rreth 21 deri në 24 metrash në përrua”, ka deklaruar për AFP-në Sanaullah Sherani, shef i shërbimit të emergjencës në distriktin e Zhobit.

Dhjetëra ekipe emergjente dhe autoambulanca janë angazhuar në vendin e ngjarjes, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe të nxjerrjes së viktimave janë vështirësuar nga terreni i thepisur.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Posta e Kosovës ka organizuar ceremoninë e lansimit të emisionit…