KE-ja përmbledh vizitën e von der Leyen në Ballkanin Perëndimor: Turneu tregoi vrullin për zgjerim

08 tetor 2026 | 16:29

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka vizituar Ballkanin Perëndimor për të gjashtin vit radhazi, gjatë turneut të zhvilluar nga 30 shtatori deri më 2 tetor.

Gjatë kësaj vizite, von der Leyen ka vizituar katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – ku ka ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për rrugëtimin e partnerëve drejt anëtarësimit në BE.

Komisioni Evropian, në përmbledhjen e vizitës, ka thënë se ajo ka qenë një mundësi për të theksuar se, ndërsa vendet kandidate po bëjnë përparim, edhe BE-ja duhet të jetë e gatshme t’i mirëpresë ato.

“Turneu i Presidentes Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor tregoi vrullin që po merr procesi i zgjerimit. Përparimi është real, reformat mbeten kyçe dhe BE-ja po i mbështet partnerët në çdo hap të rrugës”, ka shkruar në “X” faqja e Komisionit Evropian për Zgjerimin.

Gjatë turneut, von der Leyen ka theksuar se zgjerimi është një proces i dyanshëm dhe se, krahas vendeve kandidate që duhet të jenë të gatshme për anëtarësim, edhe Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerimin.

“Ne duam të sigurohemi që Bashkimi Evropian të jetë i gatshëm të zgjerohet dhe do të përcaktojmë mënyrën se si të mbrojmë më mirë atë që qëndron në zemër të Evropës, që janë vlerat tona demokratike dhe sundimi i ligjit”, ka deklaruar von der Leyen.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se gjatë vizitës, presidentja është fokusuar në hapat e ardhshëm për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së dhe në procesin e integrimit gradual, të mbështetur edhe përmes Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj është shprehur i shqetësuar pas…