Zbulim i rrallë në Gjermani, nxirret nga lumi një top sovjetik i Luftës së Dytë Botërore
Një zbulim i pazakontë është bërë në Gjermani, ku specialistët e Shërbimit për Asgjësimin e Municioneve Shpërthyese kanë gjetur një top sovjetik të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore në lumin Neisse, pranë qytetit Forst, afër kufirit me Poloninë.
Arma u zbulua gjatë punimeve në rrugën ujore dhe, sipas ekspertëve, bëhet fjalë për një top këmbësorie 76 milimetra të modelit M1943. Edhe pse ishte i mbuluar nga ndryshku, ai është ruajtur në gjendje të mirë falë baltës dhe rërës së lumit.
Eksperti i municioneve Enrico Schnick e cilësoi gjetjen si të rrallë për rajonin, duke theksuar se nuk kujton një rast të ngjashëm gjatë karrierës së tij.
Zona ku u gjet arma ishte skenë e luftimeve të ashpra mes forcave gjermane dhe Ushtrisë së Kuqe në pranverën e vitit 1945, kur qyteti i Forstit u shkatërrua pothuajse tërësisht.
Topi është transportuar në qendrën e specializuar të KMBD-së në Kummersdorf, ku pritet të çmontohet dhe të asgjësohet sipas procedurave të sigurisë, pasi autoritetet nuk planifikojnë ta ekspozojnë në muze.
Gjetje të municioneve dhe armëve nga Lufta e Dytë Botërore vazhdojnë të regjistrohen në vende të ndryshme të Evropës, duke rikujtuar pasojat e konfliktit edhe tetë dekada pas përfundimit të tij.



