FJALA E ALI AHMETIT NË BOGOVINË
Të dashur delegatë e delegate,
Kryesi dhe organet drejtuese të kuvendit të degës së Bashkimit Demokratik për Integrim Bogovinë,
Të nderuar dhe shumë e dashur kryesi e posazgjedhur në krye me Kryetarin e Degës, Elez Ramadani!
Do doja me një kënaqësi të veçantë të përshëndes dhe t’ju uroj punë të mbarë vazhduesve të misionit të Komitetit të Veteranëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, sepse ata janë guri i themelit mbi të cilin është ngritur kështjella e quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim.
Sigurisht që të gjithë komitetet që janë zgjedhur kanë mbi 25 vjet veprimtari kombëtare, o në luftë o në burgje o në aktivitete.
Thuheshte si në legjenda.
Sigurisht që edhe ju kujtohet se shqiptarët janë të zotë në luftë, por të paaftë në politikë: fitojnë luftën e humbin politikën.
Ne dëshmuam të kundërtën, e tërë ajo filozofi që fundi i fundit ishte instaluar nga pushtuesit, robëruesit tanë, siç na futën edhe parullën “besnik bëhu e besë mos zë”.
Nëse nuk i zë besë askujt dhe hiqemi se jemi besnikë të mëdhenj, trim mbi trima vet nuk ka. Trimi i mirë është me shumë shokë dhe duhet të besosh për të ecur përpara, për të arritur një qëllim, për të realizuar një mision duhet të besosh.
Sigurisht që në këtë proces ka edhe rrezik, se të gjithë ata të burgosur, luftëtarë që janë vrarë, e kanë ditur edhe që do të vriten, edhe që mund të burgosen.
Por ama ka besuar dhe ka zgjeruar radhët, mësues.
Kështu, edhe këtë tezë ne e rrënuam. Bashkimi Demokratik për Integrim është vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
E morëm me 1% përfaqësim të shqiptarëve në institucione, pa arsim të lartë, pa simbole kombëtare, pa gjuhë, thuajse asgjë.
E morëm nga asgjëja, e lamë me kryeministër – kjo është e vërteta!
Si mund të thuhet që shqiptarët janë të pazotë në politikë.
Bashkimi Demokratik për Integrim është vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Nëse nuk dinte politikë të bënte Ushtria Çlirimtare Kombëtare, nuk do ta fitonte luftën as ushtarakisht.
Ka ditur të bëjë politikë, ka ditur të bëjë strategji, ka ditur të bëjë luftë të pastër, profesionale.
Me të drejtë Bujar Osmani i ngriti çështjet dhe mori një shembull të fortë: Titanikun.
Kanë menduar që ai Titaniku, 800 metra sa ishte i gjatë, që nuk fundosej sepse është gjigant i madh.
Po jo, kur të jesh midis oqeanit dhe t’i biesh ajsbergut të akullit, jo Titanik, po bëhu çelik se s’e përballon dot! Dhe këtu, Bujar Osmani… po prekën mbi Marrëveshjen e Ohrit, po prekën mbi gjuhën, po prekën mbi të drejtat që i kemi larë me gjak, që nuk na i ka dhënë kurrkush dhuratë.
Se këtu ka njerëz që kanë humbur gjymtyrë, këtu ka njerëz që kanë humbur më të dashurit, këtu ka që rriten jetima.
Këto gjëra, ata që mendojnë të rrënojnë dhe të prekin mbi të arriturat e gjakut, duhet të jenë tri herë më burra se ne.
Nuk e kam për të shitë trimëri. Ne luftën nuk e kemi dashur, lufta na është imponuar sepse na i mohuan çdo të drejtë që nga vendosja e regjimit ushtarako-policor në vitin 1945.
Vetëm gjëmë e vaj ndër shqiptarë, janë shuar vatra, familje të tëra.
A e patë Fadil Sulejmanin? Doli me laps, kërkoi laps. Nuk kërkojmë luftë, nuk kërkojë pushkë, dhe lëvizte lapsin.
Edhe unë sot po them që gjeneratat, qofshin shqiptarë apo maqedonas, lapsi u duhet, por jo këto politika revanshiste, patriotike në shekullin 21.
Sot është koha që ne vendin duhet ta shpiem drejt Evropës, sot është koha duhet të prodhojmë marrëdhënie të mira ndëretnike midis shqiptarëve, maqedonasve dhe të tjerëve që jetojnë në këto hapësira.
Nuk është koha të shkojmë e të prekim mbi plagë të vjetra.
Populli thotë: “Po u preke në plagë të vjetra, dhimbja është më e madhe sesa kur hapet plaga e re.”
Prandaj ne jemi të kujdesshëm, jemi të kujdesshëm sepse po vijmë nga rrugë e shtigje që i kemi kaluar të vështira.
Çfarë mos na ka rënë mbi shpatullat tona, kemi provuar, dhe ato që kemi provuar ne nuk duam t’ia servojmë rinisë tonë, popullit tonë.
Por popullin, duam ta udhëheqim e ta drejtojmë drejt begatimit, drejt standardeve të mirëfillta, drejt ekonomisë së përparuar, drejt arsimit të fortë e me specialistë të të gjitha fushave. Këtu ne duam ta orientojmë.
Por ama, nuk mund të rrimë indiferentë në qoftë se dikush na prek në palcë.
Dhe prekja në palcë është po preke atë që është arritur me gjak. Kështuqë fatkeqësia është që historikisht e keqja më e madhe ka ardhur prej tanëve.
Dhe uroj që mos të ndodhë më kjo e keqe që u ka ndodhur shqiptarëve: pa pasur legjitimitetin, të marrin guxim të jenë përfaqësues të shqiptarëve, sepse janë të pavlerë, nuk i pyet kërkush.
Në qoftë se vazhdojmë të jemi indiferentë, nuk është mirë për shqiptarët, sepse ndër shqiptarë ka njerëz, ka forca të guximshme e të përgatitura që nuk mund të gëlltisin çfarëdo servimi që mund t’u bëjnë argatët e dikujt.
Shqiptarët kanë aq potencial sa t’i dalin zot vetes, t’i dalin zot gjakut të derdhur, të nderojnë familjet të cilat kanë dhënë njerëzit më të shtrenjtë, kanë gjithashtu respekt për të gjithë ata që kanë lënë gjymtyrët.
Kështuqë, Elez, bashkë me kryesinë, Komitetin e Veteranëve, forumet që do të ngrini të rinisë, forumin e grave, na keni në krah për çdo kërkesë tuajën, për çdo gjë që ju e shihni e që kërkoni të bëheni më të organizuar, më të fortë, 24 orë jam këtu. Këtu janë kryetarët me mua, këtu janë sekretarët me mua, jam unë 24 orë, na kontaktoni!
Bogovina duhet t’u kthehet bogovinasve, atdhetarëve, patriotëve, të gjithë atyre që kanë vuajtur nëpër dekada.
Dhe arritëm që me të vërtetë të jemi krenarë, sepse shqiptarët në këto hapësira i bëmë me dinjitet, i bëmë krenarë, duke filluar prej universitetit deri te vendosja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut në mes të Shkupit të vjetër.
Dhe mos flasim, sepse çdo e arritur ka vulën e Bashkimit Demokratik, vulën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, vulën e çdo patrioti e çdo atdhetari, e çdo të burgosuri politik dhe çdo njeriu të sakrificës.
Prandaj, t’i dalim zot të gjitha arritjeve që i kemi.
Asnjë hap pas!
Faleminderit shumë!



