Rama: Porto Palermo do të mbrohet nga ndërtimet

05 korrik 2026 | 09:31

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me pretendimet për ndërtimet në zonën e Porto Palermos, duke i cilësuar si një shembull të qartë të mënyrës se si, sipas tij, dezinformimi dhe manipulimi i opinionit publik përhapen përmes platformave sociale.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama tha se dokumentet që janë përdorur për ta akuzuar për plane ndërtimi në Porto Palermo nuk janë projekte të hartuara apo miratuara nga qeveria, por masterplane të realizuara nga studio të njohura ndërkombëtare arkitekture me porosi të subjekteve private për prona private. Sipas tij disa prej projekteve nuk janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, gjë që, sipas Ramës, dëshmon se institucionet nuk funksionojnë si formalitet, por ushtrojnë kontroll mbi zhvillimet urbanistike.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me një interpretim të mbrapshtë të një masterplani që mund të jetë real. Ka masterplane në librin ‘Albania Files’, të cilin inkuizicioni i dështakëzemërakëve të kores së zezë të protestës e ka kthyer në një aktakuzë për mua dhe për arkitektët e huaj. Dhjetë prej tyre janë nderuar me Nobelin e Arkitekturës, ndërsa këtu nderohen me një aktakuzë. Janë masterplane të porositura nga subjekte private, në troje private, të cilat arkitektët kanë vendosur t’i përfshijnë në dosjet e tyre, në liri të plotë. Ka edhe masterplane që nuk janë pranuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, provë se Këshilli nuk është një fasadë, por një institucion serioz. Megjithatë, inkuizicioni i përdor këto si prova të aktakuzës për tradhtinë time kombëtare, për shitjen e atdheut nga unë. Të gjitha të zezat që dështakëzemërakët m’i faturojnë mua janë për të ngushëlluar veten në falimentimin e tyre në mediokritet. Ky agjitator i algoritmit e ka fabrikuar këtë shëmti”, tha Rama.

Rama theksoi se vendimi për mbrojtjen e Gjirit të Porto Palermos është marrë pikërisht për të garantuar ruajtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore dhe historike të vendit. Ai nënvizoi se, krahas statusit të mbrojtjes, qeveria po vijon punën për transformimin e zonës në një destinacion turistik përmes muzeut të Luftës së Ftohtë dhe rehabilitimit të infrastrukturës ekzistuese.

Kreu i qeverisë akuzoi kundërshtarët politikë dhe, sipas tij, “agjitatorët e algoritmit”, se po ndërtojnë narrativa të pavërteta për të krijuar konfuzion, për të ushqyer pakënaqësi dhe për të nxitur urrejtje në opinionin publik. Rama tha se janë fabrikuar edhe materiale të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat po përdoren për të përhapur pretendime të rreme mbi Porto Palermon dhe projekte të tjera.

“Ky agjitator i algoritmit e ka fabrikuar këtë shëmti, e ka bërë vetë me ChatGPT, për të mashtruar opinionin publik. Ironia më e madhe është se, pasi u kthyen një sërë kërkesash për ndërtim në atë zonë, unë i kam kërkuar qeverisë të miratojë mbrojtjen e krejt Gjirit të Porto Palermos nga ndërtimet. E kemi shpallur atë gji monument të natyrës dhe po mbyllim projektin e muzeut të Luftës së Ftohtë te tuneli, si edhe rehabilitimin për qëllime turistike të repartit bashkëngjitur”, tha Rama.

Në fund të reagimit të tij, kryeministri u ndal edhe te fenomeni i dezinformimit në rrjetet sociale, duke pranuar se ai dhe qeveria mund të kishin bërë më mirë për t’i ndihmuar të krijojnë imunitet ndaj manipulimeve që qarkullojnë në hapësirën online.

“Jetojmë në një kohë shumë të vështirë për të vërtetën, por kjo nuk është justifikim. Është dhimbje për njerëzit e sinqertë që mbyten dhe helmohen në kanalet e informimit. Kjo është edhe një faj dhe përgjegjësi e imja, sepse nuk kam ditur sa duhet dhe si duhet t’i mbaj njerëzit të informuar, në mënyrë që të krijojnë një lloj imuniteti ndaj gjithë viruseve të atyre kanaleve të informimit”, tha Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Porta e Brandenburgut, monumenti më i famshëm i Berlinit, u…