Serwer: Opozita kërkon një president që mbron interesat themelore të Kosovës, Kurti përgjegjës për të prandaluar një krizë tjetër
Profesori amerikan, Daniel Serwer, po qëndron prej disa ditësh në Kosovë, në një kohë kur vendi ka kaluar një palë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe gjendet para sfidës për themelimin e institucioneve të reja, përfshirë postin problematik të presidentit që kërkon 2/3 e fuqisë së Kuvendit të Kosovës dhe mbi të gjitha kompromis mes kundërshtarësh politik.
Në një intervistë për Gazetën Express, Serwer ka thënë se shpreson që të arrihet një zgjidhje dhe se partitë politike duhet të shqetësohen për pasojat që mund të sillnin edhe një palë zgjedhje të reja, për vetë partitë dhe për reputacionin e institucioneve të Kosovës.
“Shpresoj që të gjendet një zgjidhje. Mendoj se të gjitha partitë politike duhet të shqetësohen për pasojat që do të sillnin zgjedhje të tjera, si për popullaritetin e tyre, ashtu edhe për dinjitetin e institucioneve të shtetit. Kosovës i duhet një president me njohuri dhe një qeveri me mandat të plotë, në mënyrë që të luajë një rol serioz në rajon dhe në botë”, ka thënë Serwer për Express.
I pyetur nëse mendon që kreu i VV-së, Albin Kurti, do të jetë më i hapur për kompromis kësaj radhe, Serwer thotë se kjo pyetje duhet t’i parashtrohet vetë Kurtit.
“Kjo është një pyetje për Kryeministrin, jo për mua. Por nuk do të prisja një përgjigje derisa të propozohet një emër”, deklaron Serwer.
Profesori amerikan përgjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ka takuar edhe opozitën, duke thënë se ata kërkojnë një president që mbron interesat themelore të shtetit dhe sipas Serwer kërkesa është e drejtë.
“Po, jam takuar me përfaqësues të opozitës. Ata duan një president që mund të mbrojë interesat thelbësore të shtetit. Kjo më duket një kërkesë e arsyeshme”, ka shtuar Serwer për Express.
Sa i përket përgjegjësisë për të shmangur edhe një krizë tjetër, Serwer thot se “Përgjegjësia përfundimtare gjithmonë bie mbi Kryeministrin, veçanërisht kur vendi ka një Presidente në detyrë.”



