ALEANCA SI INSTRUMENT I MIQËSISË

05 korrik 2026 | 11:48

(Kumtesë e mbajtur në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, me rastin e shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”.)

Arben Hoxha

Sot jemi mbledhur në këtë aktivitet ceremonial për të shënuar dhe nderuar 250-vjetorin e Pavarësisë dhe të krijimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fjalimi im nuk ka për qëllim të përshkruajë kronologjikisht historinë e themelimit të SHBA-së, e as historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Jo. Përkujtimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së e shoh në dritën e përjetimit të morales në vetëdijen tonë për lirinë dhe demokracinë.
Pas rënies së Murit të Berlinit, deri në ç’masë janë bërë vlerat e demokracisë amerikane qëllimësi e ndërgjegjes sonë politike, qytetare, kulturore dhe shtetërore? Në kontekstin tonë të brendshëm, kur ka aq shumë rrëmujë lidhur me vlerat tona historike, me figurat dhe ngjarjet e së kaluarës, duke përfshirë këtu edhe luftën e UÇK-së, çfarë vlere përfaqëson Dita e Pavarësisë së SHBA-së për jetën e kombit shqiptar? A ka arritur përvoja historike e SHBA-së për lirinë dhe demokracinë të bëhet pjesë e përvojës së brendshme të ndërgjegjes sonë morale për të drejtën dhe të vërtetën e lirisë sonë?
Hegeli, në veprën “Filozofia e historisë”, konsideron se, në periudha të ndryshme historike, popuj të ndryshëm bëhen bartësit kryesorë të zhvillimit të qytetërimit njerëzor. Një rol të tillë në histori e kanë pasur popujt e Lindjes (Kina, India dhe Egjipti i Lashtë), për t’u pasuar nga grekët dhe romakët. Pavarësia e SHBA-së është ngjarja e lirisë jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për mbarë qytetërimin njerëzor. Pse? Sepse, për herë të parë, përmes SHBA-së dhe në paradigmën e saj politike, liria, nga një e drejtë e rezervuar për sundimtarët, u shndërrua në një çështje thelbësore të përvojës së ndërgjegjes morale, të përgjegjësisë dhe të autenticitetit të individit në raport me shtetin. Nuk është detyrë morale e individit të garantojë sigurinë e lirisë së sundimtarit apo të perandorit. Është pikërisht e kundërta: shteti dhe qytetari kanë përgjegjësi e detyrime reciproke, të ndërlidhura ngushtë, në funksion të zgjerimit dhe garantimit të lirisë. Prandaj, shteti nuk është thjesht një mekanizëm që e përfshin shoqërinë brenda vetes përmes marrëdhënieve dhe procedurave juridike, por një bashkësi morale me përgjegjësi, aftësi zgjedhjeje dhe vendimmarrjeje. Në rastin e parë, ruhet tërësia në dëm të pjesës; në rastin e dytë, siguria dhe liria ndërtohen përmes ndërveprimit të ndërsjellë ndërmjet tërësisë dhe pjesëve, dhe anasjelltas.
Ky ideal politik i organizimit dhe funksionimit të shtetit e kishte frymëzuar edhe filozofin francez Alexis de Tocqueville (Aleks dë Tokëvil). Pas vizitës së tij në Amerikë, më 1831, ai botoi, në vitin 1835, veprën “Demokracia në Amerikë”, ku suksesin e modelit demokratik amerikan e shpjegon me aftësinë e vetë demokracisë për të mbajtur të bashkuara lirinë, sundimin e ligjit, barazinë e mundësive, lirinë e mendimit dhe lirinë e shtypit. Megjithatë, Tokëvili kishte edhe rezervat e veta lidhur me atë që e quante “tirania e shumicës”, të cilën e konsideronte një prej rreziqeve më serioze për funksionimin e sistemit demokratik të qeverisjes.
Demokracia nuk mund të reduktohet në një sistem zgjedhor. Ajo është shumë më tepër se kaq: përbën idealin më të lartë moral për organizimin e jetës politike, qëllimi i së cilës është zgjerimi i mundësive të ekzistencës dhe të lirisë njerëzore. Pikërisht për shkak të karakterit universal të këtij ideali, Amerika do të mbetet bartëse dhe orientuese e qytetërimit njerëzor. Dobësimi i këtij ideali do të nënkuptonte dobësimin jo vetëm të rolit të Amerikës në gjeopolitikën botërore, por edhe të vetë shtyllës mbi të cilën mbështetet qytetërimi ynë.
Ceremonitë për shënimin e përvjetorëve të Pavarësisë së SHBA-së në hapësirën shqiptare nuk duhet të reduktohen në ngjarje festive pasive apo në manifestime të jashtme të mirënjohjes dhe respektit për atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë historikisht për ne. Përkundrazi. Raste si ky i sotmi duhet të shërbejnë si thirrje për zgjimin e ndërgjegjes sonë morale kombëtare, duke na shtyrë të reflektojmë se deri në ç’masë ideali i demokracisë është shndërruar në pjesë përbërëse të ndërgjegjes sonë kulturore dhe politike, si kusht për ta bërë kombin shqiptar subjekt aktiv të historisë.
Respektin tonë për Amerikën, në përgjithësi, e shprehim përmes nocioneve “mik” dhe “aleat”, si emra konkretë, si edhe përmes nocioneve “miqësi” dhe “aleancë”, si emra abstraktë. Në rastin e parë emërtojmë bartësin e marrëdhënies, ndërsa në të dytin vetë gjendjen e marrëdhënies. Miqësia, si nocion moral, mbështetet në besimin dhe respektin e ndërsjellë. Aleanca, si nocion politik, mbështetet në interesa dhe objektiva të përbashkëta dhe, si e tillë, ka karakter instrumental. Pamjaftueshmëria krijuese e politikës shqiptare në përcaktimin e interesit shtetëror dhe kombëtar i ka përzier këto dy nocione duke prodhuar një kakofoni semantike. Në diskursin tonë politik, nocioni i “miqësisë” ka degraduar në një koncept me përmbajtje kryesisht sentimentale, sepse është zhveshur nga dimensioni i përgjegjësisë dhe i vendimmarrjes, të cilat janë aspekte thelbësore që e bëjnë një subjekt të lirë.
Filozofi amerikan Ralph Waldo Emerson, në esenë “Miqësia”, vëren se një mik i mirë nuk është vetëm shoqërues, por, mbi të gjitha, burim frymëzimi për rritjen personale. Në këtë kuptim, miqësia me Amerikën nuk lidhet vetëm me faktin se kombi shqiptar, me ndihmën e saj, e ka siguruar tashmë ekzistencën e vet në botë. Ajo lidhet, mbi të gjitha, me ndihmesën që Amerika na jep në përcaktimin e mënyrës së të qenit tonë në botë, për pozitën dhe rolin që synojmë të luajmë në të. Për shkak se e mban miqësinë brenda zonës së përjetimit emocional të menjëhershëm, sentimentalizmi këtë nivel të ndihmës e përkthen në një detyrim që qëndron jashtë qenies sonë të veprimit dhe angazhimit për kuptim dhe përgjegjësi. Miqësia e vërtetë, si raport midis dy subjekteve të lira dhe përgjegjëse, na fton ta shndërrojmë ndihmën në përgjegjësi dhe në aftësi për veprim. Miku nuk është një figurë që shërben për të konfirmuar gjendjen subjektive emocionale. Aleanca e vërtetë është ajo që e plotëson dhe e forcon miqësinë. Në këtë kuptim, aleanca me Amerikën nuk është qëllim në vetvete, por është në funksion të miqësisë.
Ideali i demokracisë, në simbiozë me idenë kombëtare shqiptare, përbën, në këtë moment historik të njerëzimit, paradigmën e vetme për ta bërë kombin shqiptar subjekt të historisë. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, në mesin e të ashtuquajturave “elita” politike dhe kulturore ekziston mendimi se fuqizimi politik, ekonomik dhe kulturor i Kosovës dhe i Shqipërisë është i mundur duke ia mbivendosur demokracinë çështjes kombëtare. Mbivendosja e demokracisë ndaj kombëtares, si koncept politik, ka pasoja të drejtpërdrejta në përcaktimin e interesit kombëtar, i cili është forca lëvizëse që vë në funksion energjitë e shtetit për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve të tij. Ajo ka, njëkohësisht, pasoja ontologjike në përcaktimin e raportit ndërmjet qenies dhe bërjes së kombit shqiptar, ndërmjet asaj që është aktualitet dhe asaj që mbetet potencialitet; pasoja epistemologjike në zhvillimin e aftësive njohëse të vetëdijes historike, kulturore dhe shoqërore shqiptare; si edhe pasoja aksiologjike në vlerësimin e idesë së tërësisë shqiptare si një përvojë e njësuar dhe e përjetuar kolektivisht. Në kontekstin e bërjes së kombit shqiptar, njësimi i ndjenjave, i vullnetit dhe i vetëdijes kombëtare është vështirë të realizohet përmes modelit të mbivendosjes së demokracisë ndaj kombëtares, ose anasjelltas. Mbivendosje të tilla, në një proces bërjeje, krijojnë hapësirë veprimi për autokracinë, e cila shndërrohet në pengesë për ndërtimin e një marrëdhënieje të shëndoshë dhe reciproke ndërmjet demokracisë dhe kombëtares. Autokracia, duke instrumentalizuar herë demokracinë e herë çështjen kombëtare, krijon, përmes kërkesave të saj monolitike, një njësim të rremë të ndjenjave, të vullnetit dhe të vetëdijes. Procesi i bërjes së kombit bëhet edhe më i vështirë, madje degradues, kur raporti ndërmjet demokracisë dhe kombëtares përcaktohet nga logjika autokratike.
Habitusi kulturor patriarkal dhe kolektivist, si tipar dominues i strukturës së sistemit kulturor shqiptar, përbën terren të favorshëm për shtrirjen e autokracisë. Nuk janë as Rusia dhe as Serbia armiku kryesor i demokracisë shqiptare, e, për rrjedhojë, as i lirisë dhe i mundësisë për ta bërë kombin shqiptar subjekt të historisë. Armiku i vërtetë i demokracisë shqiptare, e bashkë me të edhe i bërjes së kombit shqiptar, është autokracia. Autokracia krijon hapësirë veprimi për armiqtë e lirisë së kombit shqiptar. Përmes klientelizmit, si formë korruptive e organizimit të jetës politike dhe shoqërore, ajo i mban gjallë dhe i ushqen frikërat e së kaluarës, për të kontrolluar të tashmen dhe për të kushtëzuar të ardhmen. Nëse demokracia e nxit ndjenjën e përgjegjësisë së individit ndaj së mirës publike, autokracia e ushqen dhe e riprodhon veten përmes egoizmit individualist. Ky egoizëm nuk duhet kuptuar thjesht si tipar psikologjik, por si mekanizëm shoqëror, përmes të cilit autokracia dobëson dhe mban nën kontroll kapacitetin kritik të individit. Në një sistem autokratik, individi është i vlefshëm dhe i respektuar vetëm për aq sa, përmes procedurave zgjedhore, legjitimon pushtetin dhe e çliron atë nga frika e përgjegjësisë dhe e turpit përballë qytetarit. Në vend që pushtetari të ndiejë peshën e përgjegjësisë ndaj qytetarit, është qytetari ai që jeton në kufijtë e frikës ekzistenciale përballë pushtetarit.
Ideali i demokracisë amerikane, si bartës i qytetërimit njerëzor, ka si parim vetëkorrigjues kriticizmin, si aftësinë më të lartë reflektuese për të kuptuar dhe shqyrtuar kontradiktat që shfaqen në jetën shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike, të cilat, veçmas dhe së bashku, pengojnë lirinë, sigurinë dhe mirëqenien njerëzore.
Parimi i kriticizmit është jetik për mbrojtjen e demokracisë, si ndaj modelit kulturor patriarkal, i cili përbën habitusin e autokracisë, ashtu edhe ndaj vetë autokracisë, si model i qeverisjes dhe i organizimit të jetës publike e politike shqiptare. Prandaj, është detyrë e inteligjencies shqiptare të përvetësojë kriticizmin si parim udhëheqës të jetës intelektuale, publike dhe politike amerikane.
Inteligjencia shqiptare, e pushtuar nga egoizmi individualist dhe me një ligjërim kritik tërësisht të defunksionalizuar, në vend që të bëhet bartëse e ndërgjegjësimit moral, është vënë në funksion të dobësimit dhe të çorientimit të ndërgjegjes sonë kombëtare e shtetërore. E ngërthyer nga logjika e egoizmit individualist, ajo i ka nxjerrë jashtë horizontit të vet mendor parimet universale të së vërtetës, të së drejtës dhe të lirisë, duke u shndërruar në zgjatim të hegjemonisë politike dhe kulturore. Liria e mendimit, e marrë në vetvete dhe e zhveshur nga kritika, si aftësia e arsyes për të prodhuar bindje të justifikuara epistemikisht, nuk është tregues i mendimit të lirë, por i një mendjeje pa orientim dhe pa qëllim. Inteligjencia shqiptare e ka zëvendësuar logjikën e arsyetimit etik emancipues me logjikën e efikasitetit në përmbushjen e interesave egoiste.
Ideali i demokracisë matet edhe me cilësinë e komunikimit publik. Këtë cilësi nuk mund ta garantojë egoizmi individualist. Ajo varet nga niveli i ligjërimit kritik dhe nga aftësia për ta ushtruar kritikën si përgjegjësi morale ndaj së vërtetës dhe interesit publik.
Kriticizmi, si parim organizues i ligjërimit kritik, është rruga që mundëson ruajtjen dhe forcimin e aleancës sonë me Amerikën përmes miqësisë. Miqësia, si virtyt moral, përpara se ta forcojë marrëdhënien me tjetrin, fisnikëron marrëdhënien tonë me vetveten.
Miqësia me Amerikën është pjesë e identitetit tonë politik e moral; aleanca është shprehja e vetëdijshme dhe institucionale e kësaj miqësie. Miqësia me Amerikën është qenia jonë; aleanca është intelekti i miqësisë. Le të jetë aleanca instrument në shërbim të miqësisë sonë me Amerikën. Një miqësi e mbështetur nga një aleancë e qëndrueshme është garanci për rritjen dhe konsolidimin tonë si komb.
Respekti dhe mirënjohja e vërtetë ndaj Amerikës nuk qëndron në madhështimin e saj, por në gatishmërinë tonë për të përvetësuar universalen që mishëron ajo. Për ne, kjo nënkupton ta çlirojmë miqësinë nga sentimentalizmi; ta kundërshtojmë autokracinë, dhe ta bëjmë kriticizmin parim të arsyes sonë publike. Amerika nuk nderohet duke e admiruar nga larg, por duke e bërë veten më të mirë në praninë dhe në bashkëudhëtimin me të.
Urime Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marine Le Pen e ka dëshiruar prej kohësh presidencën franceze.…