Serwer, porosi para aktgjykimit të Hagës: Kosova meriton vlerësim për mënyrën si i trajtoi akuzat, vendimi i padrejtë do të rëndojë mbi Specialen

05 korrik 2026 | 14:54

Paneli i gjykatësve të Hagës tashmë ka caktuar mëngjesin e 16 shtatorit të këtij viti për t’ua kumtuar vendimin e shkallës së parë katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Mbi të katërt rëndojnë akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për krime lufte, pretendime të cilat mbrojtja i ka kundërshtuar edhe me dëshmitarë të rangut të Wesley Clark dhe James Rubin.

Vendimi që do të marrë Haga në prag të vjeshtës do të përcaktojë dimrin që do t’i vijë Kosovës, meqë të katër figurat që ndodhen në Hagë, përveç rolit të tyre në UÇK, kanë dhënë kontribut edhe në shtetësinë e Kosovës. Hashim Thaçi ka qenë figurë kyçe qysh në Rambuje, në negociatat që rezultuan me bombardimet e NATO-s. Ai ka shpallur pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë pjesë aktive e politikës si president deri në vitin 2020, kur iu ngrit aktakuza. Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi kanë qenë kryetarë të Kuvendit, ndërsa Rexhep Selimi deputet i Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket reagimit që mund të nxisë vendimi i Hagës në Kosovë, profesori amerikan Daniel Serwer, në një intervistë për “Express”-in, porosit që të mos ndërmerren veprime që dëmtojnë shtetin e Kosovës, duke bërë thirrje për reagim paqësor, që nuk përfshin sulme ndaj komunitetit serb.

“Shpresoj që reagimi ndaj aktgjykimit në Kosovë të mos e dëmtojë në asnjë mënyrë shtetin. Kjo do të thotë se reagimi duhet të jetë paqësor dhe të mos përfshijë sulme ndaj komunitetit serb. Shteti i Kosovës meriton vlerësim, jo kritika, për mënyrën se si i ka trajtuar deri tani këto akuza. Serbia i fshehu për vite të tëra personat e saj të akuzuar. Të akuzuarit nga Kosova dhanë dorëheqje dhe shkuan në Hagë. Për këtë ata meritojnë vlerësim, jo dënim apo përbuzje”, ka deklaruar Serwer.

Daniel Serwer shton se, pavarësisht se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, bindja e tij se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhja e vetme nuk do të ndryshojë.

“Mendoj se çdo dënim do të reflektojë para së gjithash mbi ata që dënohen, pavarësisht nëse dënimi është i drejtë apo jo. Nëse nuk është i drejtë, atëherë do të rëndojë mbi vetë gjykatën. Vendimet nuk do ta ndryshojnë bindjen time se pavarësia e Kosovës ishte e vetmja zgjidhje”, ka thënë Serwer për “Express”.

Serwer thekson se Serbia e ka humbur Kosovën për shkak të veprimeve të veta, të cilat përbënin shkelje të të drejtave të njeriut.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins, në fund, rikujton faktin se Serbia për vite me radhë ka fshehur personat e akuzuar, ndërsa të akuzuarit nga Kosova dhanë dorëheqje dhe shkuan në Hagë. Sipas tij, Thaçi dhe të tjerët meritojnë vlerësim për këtë veprim, e jo përbuzje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori amerikan, Edward P. Joseph, është shprehur i shqetësuar se…