Protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së në Kroaci, Gucati: Besoj se do të marrin pjesë mbi 3 mijë persona

05 korrik 2026 | 18:03

Në një lidhje direkte për emisionin “Info Magazine” Gucati tha se qytetarët kanë filluar të grumbullohen pranë vendit ku do të mbahet protesta, duke veçuar praninë e madhe të familjeve me fëmijë, transmeton Periskopi.

“Me numër fiks nuk guxoj të shkojë, sepse duhet t’i numërojmë kokë më kokë. Unë shpresoj dhe dua të besoj se do ta kalojmë numrin prej 3 mijë qytetarësh, bashkatdhetarësh dhe njerëzish që kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Presheva, por edhe nga vende të tjera. Besoj se do ta kalojmë shifrën prej mbi 3 mijë pjesëmarrësish, edhe pse është vapë e madhe dhe temperatura është shumë e lartë në Zarë, por shpresoj se numri do të jetë mbi 3 mijë veta”, tha ai.

Sipas Gucatit, pjesëmarrja e familjeve ka një rëndësi të veçantë, pasi, siç tha ai, fëmijët po njihen me figurat e ish-krerëve të UÇK-së.

“Njerëzit kanë filluar të grumbullohen dhe të parkohen pranë vendit ku do të mbahet protesta.Më ka bërë shumë përshtypje që kanë ardhur shumë familje. Është hera e parë që shoh kaq shumë shqiptarë me familje dhe me fëmijë të vegjël në një protestë. Kjo më ka befasuar pozitivisht. Ata po mbështesin një protestë paqësore, një protestë të drejtë për lirinë e çlirimtarëve”, deklaroi ai.

Kreu i OVL-UÇK-së gjithashtu u shpreh se protesta po bëhet për një të drejtë, që siç u shpreh ai, na takon.

“Më vjen mirë që këto familje ua kanë treguar edhe fëmijëve të tyre se kush janë çlirimtarët, kush janë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe të tjerët. Kjo më ka gëzuar shumë, që anëtarët e familjeve kanë marrë edhe fëmijët e tyre për t’u treguar se ne po protestojmë për një të drejtë që na takon”, tha Gucati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në historinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shtëpitë…