Kontributi i Behgjet Pacollit për Kosovën flet më shumë se çdo debat i përkohshëm

06 korrik 2026 | 10:32

Shkruan: Ibrahim Gashi

Të dashur miq,
Kam pasur privilegjin të jem bashkëpunëtor i parë politik i Behxhet Pacollit për shumë vite dhe ta njoh nga afër, jo vetëm si politikan, por edhe si njeri. Edhe pse ka një kohë që me zotin Pacolli na lidh vetëm respekti i ndërsjellë, megjithatë e pashë si veprim të ndershëm të ndaj me Ju një vlerësim personal.

Shumë prej projekteve ndërtimore, investimeve dhe nismave të tij bamirëse kanë lënë gjurmë konkrete në Kosovë. Në momente të ndryshme, ai ka dëshmuar se suksesi personal mund të vihet në shërbim të vendit dhe qytetarëve. Kontributi i tij nuk është kufizuar vetëm në ekonomi, por është shtrirë edhe në promovimin e Kosovës në botë, mbështetjen e njerëzve në nevojë dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim.

Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje është se puna konkrete mbetet, ndërsa zhurma e përditshme politike kalon. Por, fatkeqësisht, kam parë edhe një fenomen tjetër: në hapësirën publike ka pasur zëra që e lavdëronin pa rezervë z. Pacolli kur kishin marrëdhënie të mira me të, ndërsa më pas ktheheshin në kritikët e tij më të ashpër kur kjo marrëdhënie prishej jo për arsye parimore por për interesa personale të këtyre farë gazetarëve dhe opinionistëve. Kjo nuk flet domosdoshmërisht për personin që sulmohet, por ngre pikëpyetje mbi integritetin dhe qëndrueshmërinë e atyre që e ndryshojnë diskursin sipas interesave të momentit.

Kritika është thelbësore në një shoqëri demokratike dhe duhet të jetë e bazuar në fakte. Por kur kritikat dhe sulmet duken të kushtëzuara nga interesa personale, publiku ka të drejtë të pyesë se ku përfundon gazetaria e pavarur dhe ku fillon oportunizmi.

Historia, në fund, nuk i gjykon njerëzit nga titujt e portaleve, por nga veprat që kanë lënë pas. Për mua, veprat dhe kontributi i Behxhet Pacollit për Kosovën flasin më fort se çdo debat i përkohshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
RIZA GASHI shpall te pavleshme diplomen e BACHELORIT drejtimi FIZIOTERAPI…