Blerim Isufaj flet për punën e Prokurorisë Speciale: Çdo goditje ndaj grupeve kriminale është një investim në sigurinë e qytetarëve
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka mbajtur konferencë për media në lidhje me aksionin e fundit të zhvilluar ku janë sekuestruar asete me vlerë 1 milion euro, në lidhje me një rrjet të pastrimit të parave të përfituara nga trafikim i drogës, raporton EO. Ai tha se shumica e rasteve ndërlidhen me bashkëpunim juridik ndërkombëtar, e që sipas tij kanë impakt edhe në imazhin i drejtësisë në Kosovë. “Arsyeja e kësaj konference ndërlidhet me faktin se Prokuroria Speciale kohët e fundit ka trajtuar disa raste të natyrës specifike, dhe është shumë e rëndësishme për faktin se shumica nga ato ndërlidhen me bashkëpunim juridik ndërkombëtar, e që kanë impakt edhe në imazhin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Përveç të tjerash, e kemi ndier obligim që përmes jush të paraqitemi tek opinioni publik, gjithnjë duke u bazuar në interesimin e madh mediatik të fundit. Përpara kësaj, ndihem mjaft i kënaqur se më 30 qershor, Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kryer disa bastisje në kuadër të një operacioni kundër krimit të organizuar. Ky operacion është realizuar në kuadër të një hetimi mbi pastrimin transnacional të parave, të nxjerra nga trafikimi i drogës, nga autoritetet italiane dhe franceze, të koordinuar nga Europoli dhe Eurojust-i, e në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij rasti, janë arrestuar dy persona në shtator të vitit 2025, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe shpëlarja e parave”, tha Isufaj. Duke folur për këtë, Isufaj deklaroi se ky i fundit është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. “Operacioni në fjalë është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, i ndërtuar mbi besimin, shkëmbimin e informacionit dhe angazhimin e përbashkët për të luftuar krimin e organizuar në të gjitha format e tij. Ky veprim i koordinuar dëshmon se bashkëpunimi ndërkombëtar mbetet një nga mekanizmat më efektivë për identifikimin, hetimin dhe ndërprerjen e rrjeteve kriminale që dëmtojnë sundimin e ligjit dhe sigurinë publike. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ne kemi zhvilluar edhe një takim të rëndësishëm, pikërisht me 30 qershor, me përfaqësuesit e autoriteteve të Spanjës, Francës, Italisë, Gjermanisë, Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Europolit.
Ata janë ndarë të kënaqur me punën e prokurorisë, madje më tepër, jemi pajtuar që të vazhdojmë punën e përbashkët në luftën ndaj krimit të organizuar”, ka thënë ai. “Të nderuar të pranishëm, ju njoftoj se luftimi i krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe ndërtimi i një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt është një përparësi e vazhdueshme e Prokurorisë Speciale. Operacioni i realizuar me 30 qershor të këtij viti tregon një mesazh të qartë se Prokuroria Speciale do të veprojë me vendosmëri, në një mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme me autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit. Çdo goditje ndaj grupeve kriminale është një investim në sigurinë e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe ngritjen e besimit ndaj institucioneve të drejtësisë”, tha Isufaj. Po ashtu Isufaj përmendi edhe rastin tjetër ndërkombëtar ku Prokuroria Speciale ishte pjesë e tij.“Përveç të tjerash, Prokuroria Speciale ishte pjesë e operacionit ndërkombëtar “Sindrom”, të zhvilluar nga lartësia e ligjit, duke treguar kështu përkushtim në luftën kundër krimit financiar.
Operacioni njëkohësisht është zhvilluar edhe në Shtetet e Bashkuara, Spanjë, Itali dhe Rumani, i cili mundësoi eliminimin e një infrastrukture informatike, e cila shërbente në mënyrë të paligjshme për miliona përdorues në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar përmes një sistemi të sofistikuar informativ, IPTV. Në hetimin e këtij rasti kanë bashkëpunuar edhe Kanada, India, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara. Këto raste do të hetohen plotësisht nga prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe hetuesit nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me agjencitë ndërkombëtare ligjzbatuese, për të zhvilluar raste të forta para dorëzimit të tyre në gjykatë. Puna në këto raste sapo ka filluar, dhe natyrisht se do të kërkojë kohë, por ne gjithmonë do të jemi në harmoni me afatet ligjore”, tha Isufaj.



