Avokati i Popullit nis hetime për pretendimet e keqtrajtimit të të arrestuarve gjatë “Vidovdanit”
Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë me dije se ka nisur hetime lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët e Policisë së Kosovës ndaj personave të arrestuar gjatë shënimit të “Vidovdanit”, më 28 qershor.
Përmes një njoftimi, institucioni ka njoftuar se pas përfundimit të hetimeve do të publikojë raportin dhe do t’i njoftojë palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, është thënë në njoftim.
Sipas njoftimit, hetimet janë iniciuar me qëllim të verifikimit të fakteve dhe rrethanave të rastit, si dhe për të vlerësuar nëse gjatë trajtimit të personave të arrestuar janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka ritheksuar se çdo person i privuar nga liria duhet të trajtohet me dinjitet dhe në përputhje me parimin e ndalimit absolut të keqtrajtimit fizik, trajtimit ose ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues.
“Çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës ose për shkelje të të drejtave të personave të privuar nga liria kërkon një hetim të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe të shpejtë”, ka njoftuar Avokati i Popullit.
Në kuadër të hetimeve, Avokati i Popullit ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor.
Pas përfundimit të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se do ta informojë opinionin publik dhe palët e interesuara për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse, në përputhje me kompetencat e tij ligjore.



