Ronaldo lë të hapur mundësinë për të luajtur në “Euro 2028”
Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 ishte e fundit në karrierën e tij, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që të vazhdojë të luajë për përfaqësuesen e Portugalisë.
Sulmuesi portugez ka reaguar pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja në fazën e 1/8-tës së finales, ku një gol i shënuar në minutat shtesë ia ka siguruar spanjollëve kualifikimin.
Ronaldo ka pranuar se është i zhgënjyer me mënyrën se si përfundoi rrugëtimi i tij në Kupën e Botës, por ka thënë se largohet me ndërgjegje të pastër. “Jam i trishtuar që u eliminuam nga Kupa e Botës në këtë mënyrë. Por dhashë gjithçka. Dhurova më të mirën time dhe largohem me ndërgjegje të pastër. Ky është futbolli, kjo është jeta e një futbollisti. Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet dhe duhet të vazhdosh përpara. E vërteta është se ky ishte Botërori im i fundit, po. Por tani do të kem kohë të mendoj, të jem me familjen time dhe të mos marr vendime me kokë të nxehtë. Jeta vazhdon”, ka thënë Ronaldo.
Megjithatë, 41-vjeçari nuk e ka mbyllur derën për një vazhdim të karrierës me Portugalinë, duke lënë të kuptohet se mund të synojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian të vitit 2028.
Ai ka kujtuar edhe triumfin historik në “Euro 2016”, të cilin e konsideron arritjen më të madhe me fanellën e Portugalisë. “Si ndihem sot? Njësoj. Me ndërgjegje të pastër. Dhurova më të mirën time. Kam fituar tre trofe me Portugalinë. Para Cristianos, Portugalia nuk kishte fituar asnjë trofe. Prandaj jam i lumtur. E vërteta është se trofeu më i madh që kam fituar me kombëtaren ishte ai i vitit 2016, i cili për mua ka të njëjtën vlerë si një Kupë Bote. Prandaj e përsëris, largohem me ndërgjegje të pastër. Dhashë gjithçka dhe kaq. Nesër është një ditë e re dhe jeta vazhdon”, ka përfunduar ai. Ndryshe, Ronaldo është vetëm 24 gola larg për t’u bërë futbollisti i parë në histori që arrin shifrën e 1 mijë golave në karrierë.



