Kurti prezanton qëndrimet e Kosovës në Simpoziumin Ndërkombëtar SYMI në Greqi

07 korrik 2026 | 15:27

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar për pjesëmarrjen e tij në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI, i cili po mbahet në Greqi me temën: “Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power” (Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit).

“Diplomatë të shquar e aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh e akademikë intelektualë, drejtues të organizatave ndërkombëtare e studiues të instituteve kërkimore, diskutojnë së bashku sipas modelit Chatham House Rule për tema të ndryshme të aktualitetit (gjeo)politik global, nga paqja e siguria teksa forcohet mulipolariteti dhe dobësohet multilateralizmi te sulmet e shtuara mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga krizat e shumëfishta e luftërat e reja pa përfunduar të vjetrat te pritjet dhe efektet e inteligjencës artificiale”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka bërë me dije se ka marrë pjesë në panelin “Frontline democracies – The Balkans, Ukraine and more: What complacent older democracies must learn from societies still fighting, every day, for democratic European space.” (Demokracitë në vijën e parë të frontit – Ballkani, Ukraina dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të vetëkënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirë demokratike evropiane).

“Përveç tjerash aty theksova që: – Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, dhe se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon që periferia nuk është aty për t’u grabitur. – Në zhvillimet botërore realisht nuk kemi përplasje të jashtme të civilizimeve por sot jetojmë në kohërat e përplasjeve të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin. – Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe se tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike”, ka njoftuar Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Agim R. ZOGAJ Serbia, e përkëdhelura e BE-së,…