Abdixhiku pas takimit me Terrasin: Pas certifikimit të rezultateve të formohen sa më shpejt institucionet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, me të cilin ka diskutuar për situatën politike në vend pas zgjedhjeve, procesin e certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), si dhe për domosdoshmërinë e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës.
Abdixhiku ka theksuar se respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor, duke shtuar se pas certifikimit të rezultateve duhet të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Kosovës.
Ai ka vlerësuar raportin e raportuesit për Kosovën në Parlamentin Evropian, i cili nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave, forcimit të institucioneve demokratike dhe konstituimit të institucioneve funksionale, si hapa të domosdoshëm në rrugën evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit, Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë ofruar Kosovës ndër vite, duke ritheksuar rëndësinë e partneritetit me institucionet evropiane në avancimin e proceseve demokratike dhe perspektivës evropiane të vendit.



