27-vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi nga Serbia

08 korrik 2026 | 13:25

Organizata Albanians For America ka përkujtuar Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqin në 27-vjetorin e vrasjes së tyre, duke bërë thirrje që autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë të dalin para drejtësisë.

Në një njoftim publik, organizata ka rikujtuar se tre vëllezërit, pjesëtarë të Batalionit “Atlantiku”, luftuan nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, por më pas u arrestuan, u dënuan me burg nga autoritetet serbe dhe u ekzekutuan nga strukturat shtetërore të Serbisë.

“Sot përkujtojmë me respekt Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, tre vëllezër shqiptaro-amerikanë, pjesëtarë të Batalionit ‘Atlantiku’, të cilët, nën emblemën e UÇK-së, luftuan për lirinë e Kosovës, por u ekzekutuan mizorisht nga strukturat shtetërore serbe, pasi që paraprakisht ishin arrestuar dhe dënuar me burg nga autoritetet e Serbisë”, është thënë në reagimin Albanians For America.

Albanians For America ka vlerësuar se edhe pas gati tri dekadash, drejtësia për rastin Bytyqi mbetet e parealizuar.

“Ky përvjetor na kujton se drejtësia e vonuar dhe e mohuar mbetet padrejtësi. Edhe pas 27 vitesh, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi nuk janë nxjerrë para drejtësisë”, ka theksuar Albanians For America.

Sipas saj, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe premtimeve të përsëritura nga zyrtarët serbë, familja Bytyqi ende pret që autorët e krimit të mbajnë përgjegjësi.

“Pavarësisht premtimeve të përsëritura të zyrtarëve serbë dhe kërkesave të pandërprera të Shteteve të Bashkuara, familja Bytyqi vazhdon të presë drejtësi, ndërsa Serbia vazhdon të mos japë përgjigjen që i detyrohet të vërtetës dhe ligjit”, është thënë në reagimin e Albanians For America.

Në fund, organizata ka ritheksuar se zbardhja e plotë e këtij rasti është një detyrim jo vetëm ndaj familjes Bytyqi, por edhe një test për përgjegjësinë institucionale të Serbisë.

“Vendosja e drejtësisë nuk është vetëm një detyrim ndaj familjes së tyre, por edhe një provë e gatishmërisë së Serbisë për të marrë përgjegjësi për një krim të kryer nga strukturat e saj shtetërore”, është thënë në reagimin e Albanians For America.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit,…