Prattipati: Kosova të diversifikojë furnizimin me energji me gaz natyror të lëngshëm amerikan
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Anu Prattipati, ka avokuar sërish që Kosova të diversifikojë furnizimin me energji përmes gazit natyror të lëngshëm amerikan, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane. Prattipati këtë thirrje e ka bërë gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit të Partneritetit ShBA-Kosovë.
Gjithashtu, ajo ka mirëpritur vendimin e Kosovës për heqjen e tarifave doganore për mallrat amerikane. “E ngarkuara me punë e ShBA-së, Anu Prattipati, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Partneritetit ShBA-Kosovë, ku u vlerësuan anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kontributin e tyre në forcimin e tregtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Në fjalën e saj, ajo mirëpriti vendimin e Kosovës për të hequr tarifat doganore për mallrat amerikane dhe bëri thirrje që Kosova të diversifikojë furnizimin e saj me energji përmes gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga ShBA-ja, me qëllim sigurimin e investimeve të ardhshme amerikane”, ka njoftuar Ambasada e ShBA-së.
Kujtojmë se javë më parë, Prattipati, përmes një editoriali, i ka bërë thirrje Kosovës që t’u bashkohet projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan, për të siguruar të ardhmen e saj energjetike.
Ajo ka vlerësuar se Kosova duhet të veprojë shpejt për të shfrytëzuar këtë mundësi, duke theksuar se afati për marrjen e një vendimi po përfundon. Sipas Prattipatit, Kosova mund të lidhet përmes projekteve rajonale, si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci, apo përmes gazsjellësit që po ndërtohet për të lidhur terminalin e Gazit Natyror të Lëngshëm në Aleksandrupolis të Greqisë me Shkupin në Maqedoninë e Veriut. Ajo ka paralajmëruar se vonesat në marrjen e një vendimi të tillë mund ta lënë Kosovën si të vetmen në Ballkanin Perëndimor pa qasje në gazin natyror të lëngshëm amerikan.



