Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Haxhiu ka bërë me dije se, në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë. Ajo e ka cilësuar certifikimin e rezultateve si përmbyllje të një procesi të rëndësishëm demokratik për vendin.
“Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka falënderuar institucionet zgjedhore dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin dhe përmbylljen e procesit zgjedhor.
“Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka deklaruar Haxhiu. Sipas saj, thirrja e seancës konstituive do t’i hapë rrugë themelimit të institucioneve të reja, të dala nga vullneti i qytetarëve.



