Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka reaguar pas publikimit të një deklarate të tij, ku mes tjerash shprehej se “Kur është interes i Amerikës, ata janë në gjendje edhe Kryetarin e shtetit me e likuidu e le më një Kryeministër”.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Bahtiri ka akuzuar mediat se “po u shërbejnë agjendave të shitura politike”. Sipas tij, po pretendohet që të goditet Albin Kurti.
“Qëllimi i tyre është i qartë: të më dëmtojnë politikisht mua, e përmes meje të godasin Kryeministrin Albin Kurti dhe rrugëtimin tonë të palëkundur në të mirën e vendit. E di mirë se po iu dhemb fortë, por titujt tuaj “bombastik” e paratë e pista që i merrni çdo ditë, nuk e ndalin dot këtë rrugë, por do t’iu godasin çdo ditë e më shumë, çdokund ku keni shkelur dinjitetin e këtij shteti dhe djersen e këtij populli.
Deklarata ime e plotë dhe e pashkëputur është kjo: “Qysh mendoni ju? Me qenë dikush kundër Amerikës, mundet me qenë në Qeveri? Asnjëherë! Ata janë në gjendje, kur është interesi amerikan, janë në gjendje edhe kryetarin e shtetit me e likuidu (politikisht), sikur që ka ndodhë. Ju e dini! Se jo me e lanë një kryeministër që i qartë matematikat e Bashkimit Evropian apo ShBA-së.”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo deklaratë nuk është skandal, por e vërtetë elementare mbi fuqinë e ShBA-së.
“Kjo deklaratë nuk është “skandal”, por është një e vërtetë elementare mbi gjeopolitikën dhe fuqinë e “pakontestueshme të aleatit tonë strategjik, SHBA-së. Unë kam shpjeguar se asnjë lider apo qeveri nuk mund të qëndrojë nëse del kundër interesave jetike të SHBA-së. Kushdo që ka lexuar qoftë edhe një faqe histori moderne, e di se kur cenohen interesat kombëtare dhe globale të SHBA-së, mekanizmat e tyre operativë dhe inteligjenca e tyre nuk njohin kompromis ndaj asnjë lideri botëror që kërcënon sigurinë e tyre”, ka shkruar deputeti i VV-së.
Postimi i plotë: