Buja: Jam i bindur në pafajësinë e krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë

09 korrik 2026 | 17:11

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Shukri Buja, ka komentuar shtyrjen e vendimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Buja ka vlerësuar se shtyrja e vendimit është brenda rregullativës së përcaktuar nga Dhomat e Specializuara, por e ka cilësuar këtë proces si të ndikuar politikisht.

“Ky është një vendim me nuancë politike që është mbuluar mjaft mirë me rregullativa juridike. Këtë mundësi ua ka dhënë vetë vendimmarrja e Parlamentit të Kosovës më 2015, kur është ndryshuar Kushtetuta dhe janë votuar Dhomat e Specializuara”, ka thënë Buja.

Ai e ka cilësuar Gjykatën Speciale si gjykatë politike, duke shprehur bindjen se edhe vendimi përfundimtar për ish-krerët e UÇK-së do të ndikohet nga rrethanat politike.

Buja ka thënë se, megjithëse është skeptik për një vendim për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, ai mbetet i bindur në pafajësinë e tyre.

“Më 16 shtator është data e fundit kur pritet të merret verdikti i Gjykatës. Bazuar në veprimet dhe vendimet e deritanishme, jam skeptik për vendimmarrjen për lirimin e bashkëluftëtarëve të mi, edhe pse jam i bindur në pafajësinë e tyre”, ka deklaruar Buja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka…