Interesi i Kosovës qëndron mbi interesat partiake, sidomos kur flasim për energji

09 korrik 2026 | 22:17

Ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka bërë thirrje që politikat energjetike të Kosovës të ndërtohen mbi interesin shtetëror dhe jo mbi interesat partiake, duke theksuar se sektori i energjisë kërkon vendimmarrje të bazuar në analiza afatgjata.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, ajo ka theksuar se historia ka dëshmuar se vendimet e nxituara dhe obligimet e marra pa analiza të mirëfillta në sektorin e energjisë kanë pasoja që i paguajnë qytetarët për dekada.

Sipas Kadaj-Bujupit, Kosova duhet të mbështetet në rezervat e saj të linjitit dhe infrastrukturën ekzistuese, duke i shfrytëzuar ato me teknologji moderne, si gazifikimi, për të arritur pavarësi energjetike dhe mirëqenie për qytetarët.

Ajo ka shtuar se çdo nismë që i shërben interesit të vendit duhet të mbështetet, pavarësisht se nga kush propozohet.

Në të njëjtën kohë, ish-deputetja ka vlerësuar se centrali i Vlorës me gaz të lëngëzuar amerikan (LNG), në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, si dhe investimet në energjinë e erës dhe të diellit në Kosovë, përbëjnë shtylla të rëndësishme për diversifikimin dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Postimi i plotë i saj:

Interesi i Kosovës qëndron mbi interesat partiake. Sidomos kur flasim për energji.

Historia na ka mësuar shtrenjtë: vendimet e ngutshme dhe obligimet e marra pa analizë të mirëfilltë në sektorin e energjisë i paguan qytetari për dekada. Prandaj orientimi strategjik i vendit duhet të bazohet në analizë, jo në llogari politike.

Nën këmbët tona qëndron një pasuri kombëtare, rezervat e linjitit dhe infrastruktura që tashmë e kemi. Shfrytëzimi i përgjegjshëm i tyre, me teknologji moderne si gazifikimi, është rrugë drejt pavarësisë energjetike dhe mirëqenies së qytetarëve. Kur një nismë i shërben vendit, duhet mbështetur pa marrë parasysh kush e propozon. Kështu të paktën vepron politika serioze.

Njëkohësisht, centrali i Vlorës me gaz të lëngëzuar amerikan (LNG) në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, si dhe investimet në erën e diellin e Kosovës, janë shtylla të domosdoshme të diversifikimit dhe sigurisë së furnizimit.

Energjia nuk është çështje partie. Është çështje shteti

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Zyrtarët thanë të enjten se nëntë departamente franceze u vendosën…