Shkëlzen Jusaj, CEO i Petrol Company dhe president i Komunitetit të Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS), mbajti një ligjëratë mbi zhvillimin e ndërmarrësisë dhe ndërtimin e kulturës sipërmarrëse
Me një program të pasur me ligjërata, punëtori interaktive dhe aktivitete praktike, ka nisur Akademia Verore për Ndërmarrësi dhe Inovacion, e organizuar nga Fakulteti i Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në kuadër të Global UBT Fest 2026.
Akademia synon t’u ofrojë studentëve dhe pjesëmarrësve njohuri bashkëkohore dhe shkathtësi praktike në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit, përmes një programi që ndërthur përvojën akademike me atë të industrisë. Përveç ligjëratave profesionale dhe akademike, pjesëmarrësit do të jenë pjesë e punëtorive interaktive dhe vizitave studimore në kompani e biznese, me qëllim të njohjes nga afër me proceset inovative dhe praktikat më të mira të sipërmarrjes.
Përmes këtij programi, pjesëmarrësit do të zhvillojnë kompetenca për identifikimin e mundësive të reja të biznesit, zgjidhjen e sfidave reale të tregut dhe krijimin e ndërmarrjeve inovative në një mjedis ekonomik gjithnjë e më dinamik dhe konkurrues.
Në kuadër të aktiviteteve të ditës së parë, Shkëlzen Jusaj, CEO i Petrol Company dhe President i Komunitetit të Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS), mbajti një ligjëratë mbi zhvillimin e ndërmarrësisë dhe ndërtimin e kulturës sipërmarrëse.

Gjatë prezantimit të tij, ai ndau përvojën e tij profesionale dhe sfidat me të cilat përballen sipërmarrësit gjatë krijimit dhe zhvillimit të bizneseve, duke theksuar se vizioni, këmbëngulja dhe inovacioni janë faktorët kyç për ndërtimin e një kompanie të suksesshme dhe konkurruese.
Ai vuri theks të veçantë edhe te rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe industrisë, duke nënvizuar se edukimi i orientuar drejt praktikës është thelbësor për përgatitjen e profesionistëve të rinj dhe zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të inovacionit. Një pjesë e ligjëratës iu kushtua edhe ndikimit të Inteligjencës Artificiale (AI) në transformimin e modeleve të biznesit, rritjen e efikasitetit operacional dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim dhe konkurrueshmëri në ekonominë moderne.
Në vazhdën e sesioneve të Akademisë Verore, ligjëratë mbajti edhe drejtori i Departamentit të Tregtisë dhe profesor në UBT, Zef Dedaj, njëherësh ish-drejtor i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

Ai prezantoi potencialin investues të Kosovës, avantazhet konkurruese që vendi ofron për investitorët vendas dhe të huaj, si dhe zhvillimet më të rëndësishme në ekosistemin e inovacionit dhe ndërmarrësisë. Gjatë ligjëratës u diskutua edhe ndikimi i liberalizimit të tregut në zhvillimin ekonomik, me theks të veçantë te mundësitë që krijon Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA-s, e cila pritet të nxisë investimet, të rrisë eksportet dhe të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Përmes akademive verore, UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke u ofruar studentëve një përvojë praktike dhe njohuri të orientuara drejt nevojave të tregut të punës.




