Punëtorët e RTK-së pa paga prej 10 ditësh, sindikatat paralajmërojnë protestë të hënën
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) dhe Federata Sindikale e RTK-së kanë paralajmëruar protesta, duke bërë me dije se kanë përfunduar të gjitha mundësitë për pritje lidhur me ekzekutimin e pagave të punonjësve.
Sipas njoftimit të sindikatave, të premten janë bërë dhjetë ditë që punëtorët e transmetuesit publik kanë mbetur pa paga të rregullta. “Pas takimit urgjent të zhvilluar me u.d. drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, u kërkua alokimi i menjëhershëm i mjeteve. Sindikatat vendosin këtë ultimatum të prerë: Nëse pagat nuk alokohen në llogaritë e punëtorëve gjatë ditës së sotme, nga dita e hënë do të fillojmë me protesta. Të hënën, më 13 korrik 2026, në orën 11:30, ftojmë të gjithë punëtorët pa dallim që të bashkohen në protestë para objektit të RTK-së – TV. Duhet ta bëjmë të qartë se paga nuk është privilegj, por është një e drejtë elementare dhe ligjore që po u mohohet punëtorëve të RTK-së”, është thënë në reagim
Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK kanë kritikuar Bordin dhe Menaxhmentin e RTK-së, duke i akuzuar për dështim në menaxhimin e situatës dhe për përsëritje të krizave me pagat e punëtorëve. “Nuk ka më hapësirë për premtime apo arsyetime burokratike që rrezikojnë mirëqenien e qindra familjeve. Përveç bllokimit të procesit të punës, Federata Sindikale e RTK-së dhe SPERTK, nga e hëna, do të kërkojnë llogaridhënie të plotë ligjore dhe morale. Këto dy organe të RTK-së po e paraqesin situatën si normale, ndonëse ajo aspak nuk është e tillë. Kjo papërgjegjshmëri po përsëritet, ndonëse ligji i obligon edhe Bordin, edhe Menaxhmentin që të sigurojnë funksionim normal të RTK-së. Bordi dhe Menaxhmenti kanë treguar dështim total, paaftësi operative dhe shkelje të të drejtave elementare. Rikujtojmë se ky nuk është lëshimi i tyre i parë; të njëjtit, Bordi dhe Menaxhmenti, janë përgjegjës që i lanë punëtorët pa paga edhe gjatë muajve të kaluar. Përsëritja e këtyre krizave tregon qartë se këta zyrtarë janë tërësisht të paaftë për ta ushtruar këtë veprimtari dhe për të udhëhequr transmetuesin publik. Gjendja ekonomike e kolegëve tanë nuk pret më. Ftojmë të gjithë punëtorët e RTK-së që të qëndrojnë të bashkuar dhe të gatshëm për të mbrojtur dinjitetin dhe djersën tonë”, është thënë në reagimin e SPERTK-së dhe Federatës Sindikale të RTK-së.



