Haga arsyeton vazhdimin e paraburgimit për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin
Gjykata Speciale në Hagë ka dhënë arsyetimin për vazhdimin e mbajtjes në paraburgim të katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka deklaruar se trupi gjykues çdo dy muaj shqyrton nëse masa e paraburgimit mbetet e nevojshme dhe proporcionale për të pandehurit.
Sipas tij, vendimi për të mos i liruar deri tani bazohet në vlerësimin se ekziston rreziku që ata të kryejnë vepra të tjera penale, veçanërisht ndaj personave që kanë dëshmuar në procesin gjyqësor.
“Çdo dy muaj, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi etj. shqyrton nëse paraburgimi është ende i nevojshëm dhe proporcional për të pandehurit gjatë gjykimit të tyre. Deri më tani, ata gjithmonë kanë arritur në përfundimin se ekziston rreziku që z. Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij të kryejnë vepra të mëtejshme penale, veçanërisht kundër personave që dëshmuan në gjykimin e tyre”, ka thënë Doyle.
Gjykata Speciale më 1 korrik njoftoi se aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit do të shpallet më 16 shtator 2026, pas përfundimit të shqyrtimeve nga trupi gjykues.



