Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit
Zejnullah Gashi është nominuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit pas një votimi të fshehtë të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Pas përfundimit të procesit të votimit, Gashi arriti të marrë 5 vota nga 6 gjithsej, duke siguruar kësisoj mbështetjen e shumicës së anëtarëve të KPK-së dhe duke u propozuar për dekretim nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Para fillimit të votimit kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, ka prezantuar raportin final të Komisionit për vlerësimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas këtij raporti kandidati Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ishte renditur i pari me 91.6 pikë, derisa pas tij u renditen Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me 89.3 pikë, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me 89 pikë, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, me 86.3 pikë.



