Vdekja tragjike e rreth 25-vjeçarit në vendin e punës, Inspektorati zbulon parregullsitë e SWISS-it të Esat Likës dhe kontraktorit

13 korrik 2026 | 15:38

Më datë 22 qershor të këtij viti, rreth orës 08:15 të mëngjesit, një incident fatal në kantierin e ndërtimit të kompleksit “Prizreni i Ri” në lagjen Arbana të Prizrenit i mori jetën Valmir Morinës, rreth 25-vjeçar, nga Drenoci i Malishevës. Gazeta Insajderi me anë të qasjes në dokumente publike, ka arritur të sigurojë raportin e Inspektoratit të Punës dhe gjetjet pas inspektimit që iu janë bërë kontraktorëve e nënkontraktorëve, pas rastit tragjik.

Siç përshkruhet në gjetjet e Inspektoratit të Punës, viktima, i cili punonte për nënkontraktorin “Xhevat T. Bytyqi B.I.” (Kushtrimi Ing), po bëhej gati për të filluar betonimin e pllakës së sipërme të bodrumit të një objekti afaristo-banesor. Në momentin e fillimit të pompimit, kamioni i pompës së betonit, në pronësi të kompanisë “Tijani Company KGA SHPK”, u vendos në një pozitë të paqëndrueshme, gjë që çoi në humbjen e ekuilibrit të krahut të pompës. Krahu i pompës goditi punëtorin e ri në pjesën e sipërme të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse të menjëhershme.

Rasti u denoncua zyrtarisht nga Policia e Kosovës. Raporti i Inspektoratit të Punës vë në pah një zinxhir shkeljesh dhe neglizhencash ligjore nga të gjitha kompanitë e përfshira në këtë projekt. “Swiss Construction Holding SHPK”, si investitori kryesor, sipas Inspektoratit të Punës dështoi të angazhonte Koordinator për Siguri dhe Shëndet në Punë (SSHP). Çdoherë referuar gjetjeve, këtë pozitë e prezantoi para inspektoratit vetëm një ditë pas aksidentit.

Inspektorati konsideron se përmes këtij veprimi, “Swiss Construction Holding SHPK”, ka shkelur Rregulloren Nr.06/2017 për kriteret minimale te sigurisë dhe shëndetit ne vend ndërtime te përkohshme apo mobile.

“Investitori apo mbikëqyrësi i projektit duhet të emërojë përmes kontraktimit një apo më shumë koordinatorë për siguri e shëndet në punë për fazën e projektimit, siç përcaktohet me nenin 3 paragrafi 2.8 të kësaj rregullore, si dhe një apo më shumë koordinatorë për siguri e shëndet në punë në fazën e ekzekutimit, siç përcaktohet me nenin 3. paragrafi 2.9 të kësaj rregullore“, parasheh rregullorja.

“Në ketë rast investitori SWISS CONSTRUKTION HOLDING SHPK nuk ka prezantuar një koordinator për SSHP deri me datën 22.06.2026 ditën kur ka ndodhur aksidenti, por ka prezantuar te datës 23.06.2026 pas ndodhjes se aksidentit, ndërsa ka prezantuar marrëveshjet me nenkontraktoret“, thuhet në gjetjen e Inspektoratit.

Po ashtu, inspektorati thotë se investitori SWISS CONSTRUKTION HOLDING SHPK ka prezantuar dokumentin e vlerësimit të rrezikut të datës 26.06.2026, pra pas ndodhjes se incidentit fatal në punë.

Insajderi iu është drejtuar me pyetje “Swiss Construction Holding SHPK”, ku të njëjtit kanë thënë se kanë kundërshtuar gjetjet e raportit për çka kanë dërguar edhe ankesë.

“Konfirmojmë se sikurse edhe kompanitë e tjera të përfshira, Swiss Construction Holding e ka pranuar Raportin Zyrtar të Inspektoratit të Punës. Raporti i është adresuar katër kompanive të ndryshme, ndërsa aksidenti me pasojë fatale ka ndodhur në kuadër të punimeve të realizuara nga dy kompani kontraktore, të cilat nuk janë Swiss Construction Holding“, thuhet në përgjigjen e tyre.

“Brenda afatit ligjor, kemi paraqitur vërejtjet dhe kundërshtimet tona të detajuara lidhur me gjetjet e raportit, duke adresuar secilën prej tyre me argumentet tona faktike dhe juridike. Si rrjedhojë, çështja aktualisht është në procedurë administrative dhe në pritje të vendimmarrjes nga autoriteti kompetent”, thuhet“, vijon përgjigja e Swiss Construction Holding.

Sipas të dhënave të publikuara në ARBK, Swiss Construction Holding është kompani e themeluar në vitin 2024 nga katër aksionarë: subjekti juridik Lika Holding Sh.P.K. me 25%, Arben Mikullovci me 25%, subjekti juridik MMA Invest AG me 25% dhe subjekti juridik LlD Sh.P.K. me 25%.

Lika Holding është në pronësi të biznesmenit të fuqishëm Esat Lika, i cili biznesin e patundshmërisë e ka zgjeruar edhe në Zvicër.

Lika është njëri nga dy ndërtuesit e “Shtëpisë së Kosovës” e ndërtuar në Davos, ku edhe mbahet Forumi Ekonomik Botëror.

Leoni Construction BNB SHPK, si kontraktori kryesor i punimeve, sipas Inspektoratit të Punës, dështoi të emërojë Koordinator të SSHP-së deri në ditën e aksidentit.

Po ashtu, raporti i inspektoratit thotë se dokumentin e vlerësimit të rreziqeve e ka prezantuar me datë 26.06.2026 (4 ditë pas incidentit tragjik).

Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të kontraktorit kryesor të punimeve, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë asnjë përgjigje.

Kompania furnizuese e betonit, “Tijani Company KGA SHPK”, makineria e së cilës u bë shkak për fatalitetin, nuk ka prezantuar asnjë dokument të vlerësimit të rrezikut, as certifikatë trajnimi për shoferin që manovronte kranin e pompës, dhe asnjë dëshmi për dorëzimin e Pajisjeve të Mbrojtjes Personale.

“Kontraktori TIJANI COMPANY KGA SHPK-nuk ka prezantuar këtë dokument (dokumenti i vlerësimit të rrezikut). Kontraktori TIJANI COMPANY KGA SHPK-nuk ka prezantuar certifikatën e trajnimit nga SSHP për shoferin e kamionit(pompës se betonit)“, thuhet ndër të tjera në gjetjet e inspektoratit.

Insajderi i ka dërguar pyetje kësaj kompanie për ta pyetur lidhur me gjetjet e Inspektoratit, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë asnjë përgjigje.

Të njëjtat gjetje Inspektorati i Punës i identifikon edhe te nënkontraktori XHEVAT T.BYTYQI B.I. Pra, sipas inspektoratit, nga ana e nënkontraktorit nuk kishte vlerësim rreziku, nuk kishte trajnuar viktimën për rreziqet në punë dhe nuk ofroi asnjë provë se i kishte siguruar atij pajisje elementare mbrojtëse, si helmeta apo rrobat e sigurisë.

Inspektorati i Punës në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka thënë se mbi bazën e gjetjeve të raportit zyrtar, tri kompani do të adresohen në gjykatë për kundërvajtje. Tutje, bën me dije se s’ka pasur inspektime paraprake nga ana e Inspektoratit Qendror të Punës për këto kompani.

“Mbi bazën e gjendjes faktike të konstatuar në raportin zyrtar janë nxjerr vendimet përkatëse për të 3 subjektet e përfshira në inspektim me të cilat rasti sipas legjislacionit në fuqi do të adresohet në gjykatën për kundërvajtje. Në subjektin në fjalë nuk ka pasur inspektim paraprak që është realizuar nga Inspektorati Qendror i Punës. Nga gjendja si më sipër bazuar në legjislacionin në fuqi rasti do të procedohet në gjykatë, në përputhje me kompetencat ligjore të Inspektoratit të Punës“, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Deri në fillim të muajit maj të këtij viti, janë identifikuar 9 raste me fatalitet në vendin e punës nga Inspektorati Qendror i Punës.

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat ka publikuar shifra më të larta në disa raste sa i përket vdekjeve në vendin e punës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka…