Kadrijaj: Marrëveshja për presidentin nuk po duket fare në horizont
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, vlerëson se vonesa në thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit lidhet me përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar marrëveshje politike për krijimin e institucioneve të reja.
Kadrijaj tha se në të gjitha rastet e mëparshme, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, seanca konstituive është thirrur brenda një kohe të shkurtër, ndërsa kësaj radhe, sipas saj, nuk po shihet i njëjti ritëm.
Ajo konsideron se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të jetë duke shfrytëzuar afatin maksimal kushtetues për konstituimin e Kuvendit, në përpjekje për të arritur një marrëveshje politike, megjithatë thotë se deri tani nuk ka sinjale se një gjë e tillë është afër.
‘’Gjithmonë kur rezultatet janë certifikuar nuk ka shkuar kohë e gjatë është thirrë seanca konstituive të kuvendit , kësaj here si duket nuk kanë urgjencë ndoshta Kurti po mundohet të shfrytëzojë afatin maksimal për konstituimin e kuvendit se a do të arrihet marrëveshje për president , nuk po duket fare në horizont’’, tha Kadrijaj për FrontOnline.
Sipas Kadrijajt, deklarimet e deritanishme të partive politike nuk japin shpresë për një zgjidhje të shpejtë. Ajo kujton se PDK-ja ka bërë të ditur se do të mbetet në opozitë, ndërsa AAK-ja, siç thotë ajo, nuk ka kërkuar poste apo marrëveshje për interes partiak, por ka paraqitur gjashtë pika që i konsideron në interes të Kosovës dhe qytetarëve.
Sa i përket LDK-së, Kadrijaj thotë se mbetet ende paqartësi, ndonëse deklaratat e fundit të Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut kanë lënë të kuptohet se kontaktet dhe bisedimet mund të vazhdojnë.
‘’ E kemi parë që kryetari i PDK-së ka thënë se do të ngelen në opozitë, qëndrimet e AAK-së veç i dimë, nuk kemi kërkuar asgjë për Aleancën, kemi kërkuar 6 pika në interes të Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës ndërsa me LDK –është mbet një mëdyshje nga deklaratat e Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut se do të vazhdojnë të bisedojnë’’, tha Kadrijaj.
Megjithatë, ajo shprehet skeptike se këto përpjekje do të prodhojnë një marrëveshje, duke vlerësuar se angazhimi i deritanishëm politik ka qenë minimal dhe se gjasat për tejkalimin e ngërçit mbeten të vogla.
‘’Se a do të arrihet marrëveshje mbetet të shihet por duke pa një angazhim tepër minimal mendoj se gjasat janë shumë minimale që të ketë zgjidhje për situatën e krijuar’’, përfundon Kadrijaj.



