Ferati u bën thirrje strukturave të LDK-së: Debatet t’i zhvillojmë brenda partisë

14 korrik 2026 | 14:57

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, pavarësisht raportimeve të fundit në media.

Ferati ka thënë se LDK-ja do të trajtojë me seriozitet çdo kërkesë që plotëson kriteret statutare, por theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë iniciativë e formalizuar brenda partisë.

“Kanë qarkulluar lajme nëpër portale të ndryshme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grupi serioz të LDK-së, edhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Përndryshe, në momentin që ka kërkesa brendapërbrenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh kanë për t’u trajtuar prej neve si parti dhe kanë për t’u shqyrtuar deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin, e deri më tani kur po flasim, nuk ka numër dhe as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.

Ai shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk i shmanget procedurave statutare dhe ka dëshmuar vazhdimisht përkushtim ndaj demokracisë së brendshme në parti.

Duke komentuar praninë e presidentes Vjosa Osmani në zyrat e LDK-së gjatë takimit të fundit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Ferati ka theksuar se ajo ka qenë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së dhe se fokusi aktual i partisë mbetet formimi i institucioneve.

“LDK-ja fokus të agjendës ka themelimin e institucioneve të Kosovës, dhe po mendoj se kjo është tema kryesore për krejt palët brendapërbrenda Lidhjes Demokratike, dhe po ashtu është përgjigjja kryesore që po e presin qytetarët e Republikës së Kosovës prej LDK-së, e jo nëse po organizohet ose jo një kuvend”, ka thënë Ferati.

Sekretari i LDK-së u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet dhe pakënaqësitë t’i trajtojnë brenda forumeve partiake dhe jo në publik.

“Mbledhja e nënshkrimeve është shprehje demokratike, e një të drejte demokratike të njerëzve që kanë besim ndryshe, po e quaj kështu siç kanë bindje ndryshe. Nuk besoj se ka brendapërbrenda LDK-së as kryetarë dege, as deputetë të zgjedhur, e as eksponentë seriozë që dëshiron për të penguar themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin ata që po i mbledhin nënshkrimet, qofshin ata që po i refuzojnë ato. Përndryshe, mua më mbetet si sekretar i LDK-së të bëjë thirrje për qetësi edhe të delegatëve, në të njëjtën kohë edhe të kryetarëve të degëve. Fundja, kjo është pjesa jonë e demokracisë, kjo është e përbashkët e të gjithëve”, ka thënë Ferati.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar…