Kamberi: Dorëzohet kërkesa për shkarkimin e ministres Paunoviq
Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shqip Kamberi, ka bërë me dije se Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik kanë iniciuar shkarkimin e ministres Paunoviq.
“Iniciativës sonë iu janë përgjigjur edhe 47 deputetë të tjerë, të cilët kanë nënshkruar nismën tonë të përbashkët. Pra, pesëdhjetë e tre deputetë të opozitës i kanë dorëzuar Kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare që, pa asnjë vonesë, t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj me të cilat ajo arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë”, ka shkruar ai në Facebook.
Kamberi ka thënë se kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare dhe që promovon veprime jashtë ligjit dhe procedurave gjyqësore.
“Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë”.
“Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!”, ka shkruar Kamberi.



